Lëkundjet e tërmetit e kanë detyruar kryeministrin Edi Rama që të zhvillojë mbledhje të njëpasnjëshme me prefektet, kryetarët e bashkisë si dhe me drejtues të ministrisë së Mbrojtjes, Ministrisë së Brendshme, Emergjencës Civile dhe Rezervës së Shtetit.
Teksa po organizon një mbledhje me grupin parlamentar në Kryesinë e Kuvendit, deputeti i Partisë Socialiste, Paulin Stërkaj, i ka kërkuar kryeministrit që të krijohet një fond ermergjencë, për këto ngjarje të paparashikueshme. Madje Stërkaj shtoi se edhe deputetët mund të lën diçka nga rroga e tyre.
“Kjo kaloi, por të mendojmë për të ardhmen. Para 30 viteve ndodhi në Shkodër, e kam përjetuar unë. Kishte të plagosur, por nuk kishte krevate ku me i shtruar. Duhet të veprojë çdo qeveri. Ministrat përkatës duhet të gjejnë specialistët e duhur, nuk duhet të bëjnë një propagandë.
Çdo fëmijë sot është i plagosur psikologjikisht nga tmerri dhe paniku. Më mirë do ishte një solidaritet me specialistët e fushës, se sa me propagandën e deputetëve. Duke filluar nga deputetët të lëmë një kontribut nga rroga, por edhe nga të ardhurat e taksave që merr shteti, të ndahet një fond special.- u shpreh Stërkaj.
Rama: Fondi është, gjithmonë në buxhet, ka rezervë për emergjencat. Fatmirësisht me këtë masë dëmesh jemi krejtësisht të qetë nga kapaciteti i mbulimit financiar.
(M.Q/Faxweb.al)