Ishte vetëm 31-vjeç, por regjimi komunist e dënoi me pushkatim, për agjitacion dhe propagandë, dhe për angazhim në një celulë të PSD-së.
Po flasim për mësuesin nga Shkodra, Mark Shllaku, i cili la pas pas bashkëshorten Angje dhe dy vajzat e tij të mitura.
Njëra prej vajzave, Juli, ishte vetëm 8-vjeçe, kur u përball me ngjarjen e rëndë që asnjë fëmijë në botë nuk do të dëshironte ta përjetonte.
Me nxitjen e së ëmës, Juli u detyrua t’i lutej kryetarit të degës që të mund ta lejonte të shihte babanë për herë të fundit.
Pak ditë para se të pushkatohej, Juli dhe e ëma, Angjia e takuan për pak minuta Markun. Atë ditë, Marku i tha Angjes, se kur t’i merrte sendet e tij personale pas pushkatimit, atje do të gjente një letër me disa informacione të rëndësishme.
Kur një i dënuar me pushkatim ekzekutohej, familja nuk kishte asnjë të drejtë të merrte trupin e tij e asnjë informacion për vendin ku do të varrosej.
Ndaj Mark Shllaku ishte përpjekur të paramendonte rrugën që të çonte drejt vendit ku mendohej se do të vritej e groposej, shkruan “kujto.al”. Shokët e tij ishin varrosur në Zallin e Kirit, ndaj Marku e kishte projektuar aty fundin e tij. Të gjitha i kishte shkruar në këtë letër.
Juli është një prej personazheve në dokumentarin “Të zhdukurit”, ku rrëfeu disa nga vargjet e kësaj letre.
Letra nuk e ndihmoi Angjen e fëmijët që ta gjenin trupin e tij. Juli e ruan prej 70 vitesh këtë letër, me shpresën se një ditë do të mund të gjejë eshtrat e të atit, Mark Shllaku.
Letra ka mesazhe shumë emocionuese, që nga përbetimi për dashurinë tij për Angjen, porosia për fëmijët, borxhet që kishte lënë në këtë jetë, e deri tek amaneti për të mos reshtur së kërkuari eshtrat e tij.
Këto fjalë prekëse janë shkruar në një dhomë të errët, në qelitë e burgut të Shkodrës, dy ditë përpara se mësuesi shkodran të pushkatohej.
Letra e plotë:
E dashtuna Angje e fëmijë!
Më kanë nda nga shokët për me më ekzekutu. Nuk po më dhimet jeta vetëm se ju po ma mërzisni shpirtin. Mos u mërzit për mue vetëm mi rrit fëmijët me hir të zotit. Amanet babën e mos i trego për mue. Borgj i kam Halitit për tjegullat dhe në ardhtë dita, jepja për mue.
E dashtuna Angje!
Jam lidh kamsh e duersh. Edhe pak orë me kanë mbet me jetue. Mëndjen e kam te ti e fëmija që nuk mujta më ju gëzue. Tashti më kanë pikëllue shumë fytyrat tuaja që më dalin parasysh e smë lanë me dekë… banu e fortë. Marku!
Angje! Ne tu mbushtë mëndja me u martue e ke lejen teme por mos me më harrue. Por amanet fëmijët. Të kam dasht me shpirt deri tash në çast të mrame të jetës teme. Edhe në atë jetë do të lutem për ty. Amanet mos u mërzit për mue por shikjo fëmitë. Ju puth me mall për herë të fundit. Marku.
E dashtuna Angje!
Të lutëm me mi ba hallall vuajtet që të kam shkaktue.
Të lutem me mu interesue për eshtrat të mos më harrojsh për kurdoherë. Me mi marrë eshtrat e me mi çu në një varr. Kam me vedi një teneqe me emnin tem, me të mundësh me më njoftë.
Hallall të gjithëve dhe ty të pares. Po vdes si një shqiptar i mirë dhe i ndershëm.