Ilir Kerni, një prej balerinëve më të mirë shqiptarë me famë botërore është zgjedhur drejtor i Baletit nëTeatrin Kombëtar të Splitit në Kroaci. Kerni do të drejtojë këtë teatër për katër vite, dhe shënon një nga rastet më të sukseshme të astistëve shqiptarë nëpër botë.
Një prej mikeshave të tij, Ermonela Jaho ka reaguar në rrjetet sociale, duke e uruar Kernin për detyrën që sapo ka marrë.
“Urime Ilir Kerni per emerimin e merituar si Drejtor i Baletit ne Teatrin Kombetar te Splitit (2019-2023) dhe komplimenta kroateve per largpamesine dhe vleresimin ndaj nje vlere artistike kombetare shqipetare si ju…”, shkruan Ermonela Jaho në rrjetet e saj sociale.
Kerni ka mbajtur për më shumë se dy vite dhe postin e Drejtorit të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, ndërsa u detyrua që të dorëhiqej për shkak të konflikteve të tij të vazhdueshme me ministren e Kulturës së asaj kohe Mirela Kumbaro.
Në postimin pas largimit, ai sqaronte se në vendin tonë arti është shumë pak i vlerësuar dhe se “Vetem Kosova, pa permendur vendet e rajonit, ka 9 here me shume buxhet per programin artistik”.
Mesa duket Kroacia tashmë do ti japë të gjithë vlerësimin e merituar balerinit shqiptar.
Jeta e Kernit jashtë Shqipërisë zë fill në vitin 1990, kur fitoi bursën e UNESCO–s për pedagogji e kërcim, në “Grand Opera” në Paris. Pasi përfundon këtë të fundit, ai u angazhua në “Opera de Strasburg”.
Nga 1994 e deri në fund të 2013-ës, Kerni ishte angazhuar si primobalerin në “Teatrin Nacional të Zagrebit, ku është dekoruar disa herë me çmimin “Oskar Ormosh”, si dhe në vitin 2002 i jepet “Çmimi më i lartë në Kroaci” për rolin e Mefistofelit në baletin “Fausti”, si roli më i mirë, çmim për të cilin është nominuar edhe tri herë të tjera.
(E.K/Faxweb.al)