Pas dy videove ekskluzive të momenteve pak para vrasjes së Santiago Malkos, në të cilat duken dy prej atentatorëve gjatë vëzhgimit të viktimës, Fax News ka siguruar një tjetër material ekskluziv, i cili hedh dyshime të forta të asaj çfarë mund të ketë ndodhur pas ngjarjes.
Fax News ka siguruar një video në të cilën duken dy prokurorët e dosjes në fjalë, Albert Demirneli dhe Naim Tota, të cilët qëndrojnë miqësisht me tre avokatët e personave të përfshirë në atentatin ndaj 26-vjeçarit Santiago Malko.
Kjo video është xhiruar rreth dy javë pas atentatit në rrugën “Xhanfize Keko” në Tiranë, ndërsa duken se sa miqësisht flasin pesë personat e përfshirë në tavolinë, madje para vetes mbajnë edhe nga një shishe birrë.
Por, përse tre avokatët e atentatorëve, në mesin e tyre edhe Ilir Murati, avokat i Blendi Tetës, takohen me dy prokurorët e dosjes?
Në pamje të parë nuk mund të jetë një rastësi, pavarësisht miqësisë që mund të kenë këta persona me njëri-tjetrin, pasi ngushtësisht të gjithë i bashkon një çështje, prokurorët për hetim të vrasjes dhe avokatët për mbrojtjen e klientëve.
E shkuara e personave të shpallur në kërkim, për të cilët gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” nuk ka qenë aspak e qetë, ndërsa ata nuk janë emra të panjohur për policinë dhe drejtësinë shqiptare. Në tetë prill të këtij viti ranë në prangat e policisë ranë katër persona, Leonard Duka, Elvis Gaçaj, Oltion Loga dhe Dritan Aga, tre prej tyre të përfshirë edhe në vrasjen e Santiago Malkos.
Në atë kohë, arrestimi u bë në afërsi të shkollës “Partizani” pasi kishte dyshime se ata po planifikonin një vrasje. Pak ditë pas arrestimit, të katërt janë lënë të lirë nga gjykata vetëm me masën e sigurisë “arrest shtëpie”, duke i shpëtuar burgut, edhe pse akuzoheshin për vepër penale shumë të rëndë. Prokuror i çështjes në atë kohë ishte Marjeta Zaimi.
Një tjetër ngjarje në të cilën janë të përfshirë vëllezerit Leonard dhe Elvis Duka, është ajo e vrasjes së Eduart Dukës në Kinostudio, në mars të vitit 2017, për të cilën i kanë shpëtuar mrekullisht drejtësisë, duke ngritur pikëpyetje të forta në atë se çfarë mund të ketë pasuar, dhe arsyet pse i shpëtuan burgut.
Përgjatë ngjarjes së fundit të ndodhur në rrugën “Xhanfize Keko”, në të cilën mbeti i vrarë Santiago Malko, janë sekuestruar një numër i konsiderueshëm i automjeteve. Automjete me vlera marrëmendëse, që shkojnë në qindra mijëra euro, madje deri në 700 mijë euro.
Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar pranë Drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranë ka nisur një hetim për pastrim parash për vëllezërit Elvis dhe Leonardo Duka, ndërsa materialet i janë referuar Gjykatës për Krime të Rënda që në tetor të vitit 2018.
Edhe pse gati po bëhet një vit, Prokuroria për Krime të Rënda akoma nuk ka një rezultat të hetimeve, madje nuk dihet nëse janë hetuar për vrasje, trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe grup të strukturuar kriminal, apo dosja është mbuluar me pluhur pranë këtij institucioni.
Pamjet e para te transmetuara ne Fax News:
Faxnews-Faxweb.al