Seanca e sotme në Kuvend nisi me intepelancën e deputetit Myslym Murrizi me ministren e Financave dhe Ekonomisë Anila Demaj, ndërsa një nga diskutimet më të nxehta mes tyre ishte ai mbi Bankersin.
Murrizi u shpreh në Kuvend se ministria që Denaj drejton i ka falur një gjobë të majme kompanisë Bankers, e cila ende sot pavarësisht se çdo vit deklaron humbje në shtet, vijon aktivitetin e saj në fushën e naftës në Shqipëri.
“Ne kemi parë disa arrestime të disa administratorëve të bizneseve, unë nuk besoj se kjo çështje zgjidhet me fushata, dhe me numërime shkeljesh. Pamë një shoë për arrestimin e 23 administratorëve të cilët u liruan brenda 48 orësh, ne nuk kemi të drejtë që të gjykojmë mbi vendimet e gjyqësorit, sa kohë që ata janë liruar ata kanë pasur të drejtë.
Do të doja të dija nga ana juaj sa është numri i investitorëve të huaj që kanë ardhur në vendin tonë dhe atyre që janë larguar, janë call center me 9 të punësuar, apo janë kompani serioze që sjellin kapitale të mëdha. Çfarë përkujdesje ka kjo mazhorancë për investitorët e huaj që vijnë dhe operojnë në RSH.
Në takimet që kam pasur para një jave, kam folur edhe këtu për një kompani gjigande që transporton miliona euro naftë, dhe që prej 15 vitesh nuk ka paguar asnjë lekë tatim fitimi në arkën e tatimpaguesve të Shqipërisë.
Për këtë kompani keni nxjerrë një urdhër të kundraligjshëm duke i pezulluar një gjobë 100 milionë euro, pa zbatuar asnjë procedurë ligjore. Pra është një kompani Bankers Petrolium, që mbahet nën kujdes nga ana juaj dhe ata që kanë qenë para jush, duke ndërruar pronarët sa kanadezë dhe sa kinezë.
Kur qytetarët shqiptarë arrestohen për një cigare që u gjendet kontrabandë, kjo kompani ka 100 milionë dollar akcizë pa paguar, ju i thoni administratës tatimore që të merrem me atë të qofteve se me të mëdhenjtë merreni ju! Do të doja të dija prej jush kolapsin që sjell favorizimi i këtyre kompanive, duke mos marrë parasysh as autoritetin e konkurencës”, deklaroi Murrizi.
Ndërkohë që në përgjigjen e saj Denaj tha se qeveria tashmë ka shpallur dhe aplikacionin kundër informalitetit, që sipas saj bën që qytetarët të denoncojnë rastet abuzive.
“Në faqen tonë të webit ju mund të gjeni të gjithë arsyetimin ligjor pse ka një pezullim të përkohshëm të gjobës mbi kompaninë Bankers”, tha Denaj.
Ndërkohë që Murrizi tha më tej se ky aplikacion është njësoj si spiunët në kohë e diktaturës, një pjesë e të cilëve ndodhen dhe në Kuvend. Ai insistoi me pyetjen mbifaljen e gjobës ndaj Bankers, ndërsa përmendi dhe kompaninë Gjikuria, që është një tjetër e favorizuar nga ana e Ministrisë së Financave sipas tij.
“Mora një përgjigje përgjithësuese, m’u duk se kishit ardhur këtu për të shpalosur programin në ditën e parë të qeverisë. Ju jeni të pangopur nga diktatura dhe po kërkoni që të beni një ushtri me vullnetarë që të spiunojë. Jo, unë nuk e shkarkoj atë aplikacionin për spiunët dixhital, pasi i kam përzënë në që në 1991 të gjithë spiunët dhe do i përzë dhe nga ky Kuvend nëse ka ende.
Unë të them pse e ke falur atë gjobën e Bankers ti thua jo është pezulluar. Pse e ke pezulluar? Më thuaj kush e kontrollon këtë subjekt, pse nuk keni shkuar asnjëherë për kontroll tek Bankers? Më thuaj sa vjet ka kjo kompani që ka dorëzuar bilanc financiar?
Ke dërguar kontroll tek Gjikuria? Jo. Po pse nuk e keni dërguar, ajo thotë që ka fituar 1 milionë dollarë dhe kërkon që të bëj një investim miliona dollarë, por me çfarë lekësh do investojë kjo kompani?”, u shpreh më tej Murrizi.
(E.K/Faxweb.al)