Nga Denis Dyrnjaja
Më shumë se mosçelja e negociatave duhet të na shqetësojë Majlinda e Parlamentit. Kemi probleme të rënda me integrimin e brendshëm, ndërkohë që pretendojmë integrimin e jashtëm. Jemi në gjendje të rëndë, madje shumë të rëndë. Përfaqësimi politik ka prekur fundin, Majlinda është një ligjbërëse dhe ligjvënëse sipas statusit që ka aktualisht, pra Deputete e Kuvendit të Shqipërisë e ardhur nga listat e Opozitës.
E kam parë disa herë fjalimin e saj se doja të kuptoja, nëse e ka shkruar vetë mirë dhe lexon keq, ja ka shkruar dikush tjetër, e ka përkthyer me google translate, nuk di as të shkruaj e as të lexojë, apo një përzierje e disa elementëve bashkë, por pastaj mendova se kjo në fakt në këtë rast nuk ka asnjë rëndësi. Ky është nga ato raste që nuk duhet të merresh me shkakun parësor, pra me Majlindën, por me shkakun thelbësor që e solli Majlindën në tempullin më të lartë dhe të nderuar të demokracisë në një vend normal, sikurse është Parlamenti.
Dhe menjëherë mendon cila është zgjidhja. Paswordi është i thjeshtë: ZGJEDHJET Vendi ka nevojë për zgjedhje në mënyrë urgjente për të ndalur këtë turp kombëtar, këtë nëpërkëmbje të intelektit dhe dinjitetit për njerëz që kanë një formim normal. Është turpëruese edhe për mazhorancën që pretendon se ka një parlament funksional me të tillë individë.
Por ndërkohë para se të kërkojmë zgjedhjet si mënyrë urgjente shpëtimi për të ndalur këtë turpësi kombëtare, duhet drejtuar gishti te ata që na e kanë servirur këtë peshqesh edhe pse pa vetëdije ose të pamenduar. Përveç se një ndjese publike të domosdoshme dhe të detyrueshme për braktisjen e mandateve parlamentare dhe këtë peshqesh që i ka bërë nivelit të përfaqësimit dhe politikbërjes me këta persona që janë futur në lista në mënyrë të papërgjegjshme thjeshtë për të mbushur numrin dhe kuotat, Lulzim Basha duhet të shprehet hapur për ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe t’ja imponojë këtë edhe mazhorancës së Edi Ramës që në parlament të shkojnë persona që kanë kredite publike dhe që njërëzit dëshirojnë t’i kenë si përfaqësues.
Kompleksi se dikush mund të marrë vota edhe më shumë se vetë drejtuesit e partive apo ofiqarët e tyre që nuk mbledhin personalisht as votat e farefisit të vet duhet të marrë fund. Deformimi i përfaqësimit politik në Shqipëri është rast unik për demokracitë moderne, krah të cilave pretendojmë se jemi. Asnjë shtet që ka zgjedhur demokracinë si sistem nuk ka arritur në këtë derexhe ku analfabetët funksionalë ose jo kanë në dorë ligjet e vendit.
Atdheu është vërtet në rrezik, jo nga Franca, Danimarka apo Holanda që na refuzojnë për në BE, por është në rrezik nga korrupsioni politik dhe injoranca që kanë prodhuar fenomenin Majlinda. Kjo është përgjegjësi kombëtare dhe përgjegjshmëri personale që duhet ndërmarrë me çdo kosto dhe çmim politik nga ata që aktualisht kanë në dorë vendimmarrjen. Është emergjencë kombëtare dhe nuk është për t’u zbavitur, por për të uluritur.