Kryeopozitari Lulzim Basha, në konferencën për mediat pas dështimit të hapjes së negociatave, deklaroi se ka qenë Partia Demokratike që arriti, nëpërmjet kolegëve në grupin CDU/CSU, të merrte një “po” të kushtëzuar për Shqipërinë.
Sipas Bashës, Shqipëria nuk mund të merrte një “po” të prerë për negociatat dhe vendimi i Bundestagut ishte maksimumi.
“Ju e dini fare mirë se PD dhe unë personalisht jemi përpjekur në takimet me CDU-në në Bundestag që ta transforminim JO-në e tyre në një proces kushtëzimi që do të mundësonte reformat dhe “po”-në e negociatave. Ta themi qartë, dëshironim të kishim një rezultat ndryshe sot, por nuk prisnim më mirë sesa Bundestagu vendosi para 2 javësh. Shqipëria nuk mund të merrte një “po” të prerë”, tha Basha.
Basha theksoi se “ka një përpjekje për ta shitur atë të sotmen si një përplasje mes vendeve të BE dhe jo si një keqqeverisje. Në këtë gjendje nuk ta hap askush derën e negociatave. Këtë ta thotë edhe qytetari më i zakonshëm në fshatin më të largët, sepse vendi nuk po qeveriset, por po sundohet. Kjo është e vërteta. 1 orë e gjysëm që sapo kaloi ishte harxhimi më i madh i kohës për këdo që e ndoqi. Unë nuk pata nevojë, sepse e di çfarë propagandon. Sapo kam mbërritur nga Berlini me informacionet më të freskëta në lidhje me këto çështje”, tha kreu i PD-së.