Ministri i deleguar i Jashtëm Gent Cakaj në konferencën për media që zhvilloi sot u pyet për ngjarjen e fundit që Maqedonia e Veriut do të shkojë në zgjedhje të parakohshme për shkak të dështimit të hapjes së negociatave me BE-në dhe si e komentonte këtë fakt duke qenë se dhe Shqipëria është në të njëjtë situatë.
Cakaj u shpreh se diskutimet për zgjedhje të parakohshme në vendin fqinj janë të hershme dhe nuk lidhen me vendimin e Këshillit Evropian.
“Diskutimi për zgjedhjet e parakohshme në Maqedoninë e Veriut është më i hershëm se dje. Nuk mund t’i ndërlidhni proceset. Ky diskutim nuk ka ardhur si pasojë e vendimit të Këshillit”, theksoi Cakaj përpara gazetarëve.
Por Kryeministri Zaev ndërkohë që ministri Cakaj ishte live në konferencë, tha se pavarësisht se vendimi ishte dhe prej problemeve të brendshme të BE-së ai dhe ekipi drejtues ishin përgjegjës dhe se do të propozonte që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
“Duke parë zhvillimet që ndodhën dhe pas konsultave që kam zhvilluar zgjidhja më e mirë dhe për të mos humbur kohë janë zgjedhjet e parakohshme”, theksoi Zaev.
Deklarata e plotë e Zoran Zaev:
Para dy ditësh, Brukseli na bëri padrejtësi, ne kemi kryer të gjitha obligimet. Ata nuk e mbajtën fjalën dhe nuk dhanë datë. Kjo është një gabim historik i Evropës. Falënderojmë shumicën e liderëve të Evropës. Kjo është një vendim i Evropës dhe problemeve të tyre të brendshme. Ne jemi përgjegjës dhe kjo kërkon nga ne vendim serioz, secili politikan duhet të jetë përgjegjës, dal me përgjegjësi para qytetarëve. Ëndrra evropiane e Maqedonisë nuk do të shuhet. Për këtë marr përgjegjësi, organizojmë zgjedhje të parakohshme parlamentare, ky do të jetë edhe propozimi im në mbledhjen e liderëve.
(K.H/Faxweb.al)