Ditën e djeshme, në media u raportua se Alvin Berisha ka humbur kontaktet nga kampi i Sirisë. Ditën e sotme i pytur nëse lajmi është i vërtetë, Afrim Berisha, babai i 11 vjeçarit tha për FaxNews se nuk ka dijeni që djali i tij nuk ndodhet në kamp.
Ai shprehet se djali i tij ndodhet në kampin Al Hawl dhe se ky është lajm i sigurt. Gjithashtu, Berisha shprehet se ka besim tek puna që po bën shteti për kthimin e Alvit.
“Duam të qartësojmë: si familje nuk jemi në dijeni të asnjë lajmi të besueshëm në bazë të së cilit Alvini nuk gjendet më në kamp. Lajmi i fundit i sigurt që kemi, tregon që Alvini aktualisht gjendet në kampin Al Hawl. Kemi besim të plotë në punën që po bëhet nga ana e Shtetit shqiptar dhe që ilustroi edhe Kryeministri Zoti Rama gjatë konferencës për shtyp.”
Historia e trishte e Alvinit:
Historia e 11-vjeçarit Alvin Berisha, i cili mbahet prej 5 vitesh në kampet e ISIS-it është rënqethëse dhe kalon kufijtë e imagjinatës. 6-vjeçari u mor nga e ëma e tij, një praktikante myslimane dhe u larguan drejt Sirisë, për t’u bërë pjesë e ISIS, duke braktisur pjesën tjetër të familjes në Itali.
Vite më vonë e ëma do të vdiste, pas një shpërthimi dhe pas kësaj vogëlushit i duhet që të përballojë i vetëm realitetin mizor që ofron Siria, me luftime të ashpra nga të gjitha anët. Pas përpjekjeve të të atit të tij dhe emisionit italian Le Iene vogëlushi u gjet në një kamp të burgosurisht në pjesën kurde të Sirisë ku jetonin fëmijët dhe gratë e luftëtarëve të ISIS, por që fatkeqësisht nuk mund të shpëtohej prej aty.
Shkak për këtë është bërë mungesa e një përfaqësuesi të ambasadës shqiptare në Siri, që të mund të firmoste garancinë për largimin e tij. Përpjekjet e babait Afrim Berisha, morën fund në momentin që ambasadori shqiptar në Turqi Gent Gazheli iu mbylli telefonin gazetarëve italianë, duke thënë se nuk mund të bënte asgjë për ta, pavarësisht se në fillim i kishte garantuar ndihmën.
Pas 5 vitesh pa e parë, Afrimi u detyrua që ta linte sërish të birin e tij në mes të luftës, pasi shteti shqiptar nuk bëri asgjë për të ndihmuar qytetarët e tij.