Përgjigjja negative për hapjen e negociatave ndaj dy vendeve të Ballkanit Perëndimor, konkretisht Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, ka nxjerr në pah edhe prapaskenat që kanë ndodhur gjatë procesit të lobimit dhe të diskutimeve me zyrtarët dhe krerët e Bashkimit Europian.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev, i cili ditën e sotme ka deklaruar zyrtarisht se do të propozonte tek aleatët e tij zgjedhje të parakohshme, ka bërë një deklaratë befasuese lidhur me ftesat e tij ndaj Presidentit të Francës, Emmanuel Macron për ta takuar dhe kjo ka zgjatur për 4 muaj me radhë.
Ai ka thënë se, pavarësisht përpjekjeve për ta takuar, Presidenti nuk i ka kthyer një përgjigje pozitive, por pavarësisht kësaj, Zaev thotë se e ka për nder të takohet në vijim me një nga krerët më të mëdhenj të Europës.
“Kam kërkuar takim me presidentin francez Emanuel Makron dhe përmes ambasadorit francez në vendin tonë, Kristian Timonie, për katër muaj – por nuk kishte sukses. Gjithmonë dëshiroj të takohem me presidentin e Francës, një vend i madh, mbi gjitha një mik i shkëlqyeshëm i Maqedonisë së Veriut. Besoj se në të ardhmen do të kemi mundësi për të biseduar “, tha Zaev.
(F.GJ/FAXWEB.AL)