Ndërkohë që Komisioni i Venecias e ka dhënë opinionin e saj zyrtar lidhur me ligjshmërinë e dekretit të Presidentit për ç’dekretimin e zgjedhjeve vendore të 30 Qershorit, duke e konsideruar si një tejkalim kompetencash, por jo shkalje kushtetuese e cila të mund të shërbejë si pretekst për shkarkimin e tij, pyetja që shtrohet është: Cila është axhenda e Komisionit Hetimor të ngritur për të konstatuar shkaljet e Ilir Metës?
Përgjigjen për këtë pyetje e ka dhënë Ulsi Manja, kreu I këtij komisioni I cili thotë se puna e tij vijon dhe se punimet do të përfundojnë përpara kohës së parashikuar.
Manja thotë për ABC News se mazhoranca do të japë një votë politike për shkarkimin e Ilir Metës, ndërsa vlerësimin kushtetues do ta bëjë vetëm Gjykata Kushtetuese kur të jetë funksionale.
“Brenda afatit të ri që morëm nga Kuvendi, komisioni hetimor do ta përfundojë punën e vetë. Do të zbatojmë planin përfundimtar të hetimit të miratuar nga Komisioni. Do të administrohen provat shkresore, dhe këtu e kam fjalën për opinionin paraprak dhe final të Komisionit të Venecias, do të administrohet dhe shkresa e ardhur nga Presidenti i Republikës lidhur me arsyet që e shtynë të anulojë 30 qershorin, duke respektuar tërësisht klauzolat ligjore për informacionin e klasifikuar “sekret shtetëror””, tha Manja duke sqaruar se çfarë ka mbetur pa përfunduar ende nga hetimi..
Komisionit i përfundon mandati hetimor në 8 Dhjetor, ndërkohë drejtuesi i tij ende nuk është i bindur për qëndrimin e tij personal lidhur me këtë çështje, nëse do ta votojë personalisht në Kuvend shkarkimin e Presidentit apo jo.
“Komisioni është i detyruar të mbyllë punë që i ka ngarkuar Kuvendi me vendimin nr 84 të vitit 2019. Është një komision që i kërkohet një vlerësim në aspektin ligjor nëse Presidenti e ka shkelur ose jo Kushtetutën, dhe raporti i këtij komisioni hetimor i tillë do të jetë. Më pas seanca plenare vendos politikisht për shkarkimin e Presidentit të Republikës. Nuk kam asnjë arsye të paragjykoj votën time e as qëndrimin tim. Unë qëndrimin tim do ta shpreh në komisionin hetimor që unë drejtoj dhe votën time do ta shpreh në seancë plenare së bashku me gjithë kolegët e mi të mazhorancës”.
Por çfarë do të ndodhë nëse socialistët do të votojnë pro shkarkimit të Ilir Metës nëse gjithmonë duke pasur parasysh se do të rezultojnë votat e nevojshme që duhen për ta asrritur këtë gjë?
“Votimi në parlament është votim politik, ndërsa Gjykata Kushtetuese është institucioni i vetëm kushtetues që do të japë një vlerësim në aspektin kushtetues dhe ligjor për këtë procedurë shkarkimi”, tha Manja.
(F.GJ/FAXWEB.AL)