Pavarësisht se është një nga vrasjet më të rënda të këtyre viteve të fundit, porositësi dhe bashkëpunëtori në vrasjen e komisarit Artan Cuku vijojnë të shijojnë lirinë e tyre. Kjo është bërë shkak për shtyrjen e seancës gjyqësore, që ishte parashikuar të mbahej sot te Krimet e Rënda.
Porositësi Bledar Jambelli dhe bashkëpunëtori i tij Kristaq Leci, janë lënë të lirë nga Gjykatat greke, pavarësisht se ndaj tyre kishte urdhët ndalimi në Shqipëri.
Pas lirimit, asnjërit prej tyre nuk i dihet adresa, dhe me siguri janë duke pushuar, pse jo dhe larg Greqisë, dhe të pashqetësuar për të dhënë llogari për krimin e rëndë që u krye në emër të tyre.
Gjatë seancës te Krimet e Rënda më në fund është konfirmuar ajo që ishte raportuar prej ditësh në media, se Kristaq Leci është liruar pak javë më parë nga drejtësia greke.
Greqia ka kundërshtuar ekstradimin e tyre me pretendimin se u rrezikohet jeta në Shqipëri dhe Jambelli ka mbiemër të minoritetit grek.
Ky mbiemër e ka shpëtuar atë nga akuza e vrasjes në bashkëpunim, ndërsa në burg mbetet vetëm i afërmi i tij Mikel Shallari, i cili ka pranuar ekzekutimin e Cukut dhe është bërë i penduari i drejtësisë. Shallari ka pranuar se gjithçka e ka kryer për para, ndërsa pas ngjarjes ishte i vetmi që u arrestua nga autoritetet shqiptare.
Gjyqi për çështjen e Artan Cukut ka rinisur pas një viti pezullim, pasi të pandehurit nuk kishin marrë njoftim. Ligji thotë se pas 1 viti rifillon gjykimi edhe nëse nuk janë kapur, por duket se familja Cuku do të presë gjatë, derisa drejtësia të flasë për të afërmin e tyre.
(E.K/Faxweb.al)