Mbrëmjen e kaluar janë djegur mjetet e firmës që po punon për ndërtimin e HEC-eve në Kaçinar të Mirditës ku autorët kanë dhunuar edhe dy persona të cilët shërbenin si roje të makinerive, ndërsa pas raportimit paraprak, Faxweb.al ka mësuar detaje të reja për ngjarjen.
Burime bëjnë me dije se kanë qenë 4 persona të armatosur që kanë kërcënuar dy të rinjtë që ruanin makineritë ndërsa këta të fundit janë zënë në befasi pasi në atë moment po flinin.
Ndërkohë që rojet mbaheshin nën kërcënimin e armëve, autorët u kanë hedhur fillimisht benzinë mjeteve e ku më pas u kanë vendosur edhe flakën, ndërsa ende nuk janë zbuluar identitetet e tyre.
Duke u bazuar në këto informacione, Policia ka sekuestruar kamerat dhe po i vëzhgon për të gjetur detaje të cilat do të mundësonin identifikimin dhe kapjen e autorëve, ndërkohë që këto kamera janë sekuestruar në disa pika karburantesh ku edhe ka dyshime se mund të jetë blerë lënda djegëse.
Ndërkohë dy të rinjtë që shërbenin si rojë të makinerive, ndodhen në Spitalin Rajonal të Mirditës nën kujdesin e mjekëve pasi kanë marrë disa dëmtime nga përplasja me autorët e ngjarjes.
(F.GJ/FAXWEB.AL)