Detaje të reja janë zbardhur nga grabitja e postës dy ditë më parë në Krujë. Bëhet e ditur se grabitësit kanë qenë më një kamionçinë frigoferike.
Grabitësit thuhet se e kanë detyruar rojen që ti ndihmojë. Pas kësaj roja është arrestuar për moskallëzim krimi, pasi nuk ka njoftuar Policinë për vjedhjen me thyerje të kasafortës së Postës së Krujës.
Megjithëse roja Besnik Parruca ka deklaruar para efektivëve se nuk ka treguar sepse është kërcënuar nga autorët e kësaj vepre penale.
Ndëkohë që policia ka sekuestruar kamerat e postës dhe të bashkisë si edhe të bizneseve të tjera përreth.
Njoftimi i policisë
Nga specialistët për parandalimin dhe hetimin e krimit në Komisariatin e Policisë Krujë u bë arrestimi në flagrancë për veprat penale “Moskallzim krimi” dhe “Shpërdorim detyre”, i shtetasit:
– B. P., 51 vjeç, banues në Durrës (me detyrë roje private pranë postës së Krujës).
Gjatë orëve të para të mëngjesit të ditës së sotme është vjedhur me thyerje kasaforta e postës së Krujës, ku autorët kanë marrë një sasi lekësh dhe një sasi valute dhe më pas janë larguar. Roja private, shtetasi B. P., pas marrjes djeni për ngjarjen nuk ka kryer sipas detyrimeve ligjore njoftimin e shërbimeve të Komisariatit të Policisë Krujë, as në momentin kur patrulla e policisë ka kaluar dhe e ka pyetur nëse kishte ndonjë problem tek posta, me pretendimin se është kërcënuar nga autorët.
Gjithashtu është shpallur në kërkim për “Shpërdorim detyre” dhe specialisti i sallës së SHPSF-ve, shtetasit S. T., 28 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka shpërdoruar detyrën duke mos njoftuar Policinë e Shtetit.
Një grup i posaçëm hetimor i përbërë nga specialistë për hetimin e vjedhjeve me dhunë dhe krimeve kundër pasurisë, po punon intensivisht për identifikimin dhe kapjen e autorëve dhe materialet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Krujë për veprën penale “Vjedhje me dhunë e kryer në bashkëpunim”.
(M.Q/Faxweb.al)