Mbrëmjen e sotme është arrestuar në Aeroportin e Rinasit i shumëkërkuari Beqo Brahimi, i dënuar nga gjykata me 8 vite burg, si pjesë e grupit të vrasjes së efektivit të forcave RENEA, Ibrahim Basha, gjatë një operacioni në vitin 2015 në Lazarat.
Lidhur me këtë ngjarje, blutë kanë dhënë edhe njoftimin zyrtar duke sqaruar se 30-vjeçari i lindur në Gjirokastër është arrestuar pasi rezultonte i shpallur në kërkim në bazë të Vendimit Penal nr.269 dt.05.06.2015, të Gjykatës së Krimeve të Rënda Tiranë, e cila kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim.
Njoftimi i plotë:
Shkëmbimi i informacionit mes Intepol Tirana dhe Policisë Belge çon në pranga një 30 vjeçar të kërkuar për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve.
Në orët e mbrëmjes, Policia Kufitare e Rinasit, pas informacionit të marrë nga Zyra Qëndrore Interpol Tirana, se një i kërkuar për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve po vinte me avjon nga Belgjika për në Rinas dhe aty mund të prezantohej me dokumenta të falsifikuara, menjëherë në momentin e zbritjes nga avioni bëri arrestimin e shtetasit shqiptar B.B., 30 vjeç, lindur në Gjirokastër.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim në bazë të Vendimit Penal nr.269 dt.05.06.2015, të Gjykatës së Krimeve të Rënda Tiranë, e cila kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu po për këtë shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë Lushnje, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
(F.GJ/FAXWEB.AL)