4 persona janë vënë në pranga nga Policia e Vlorës si të dyshuar për atentatin në drejtim të Ines Hajrullës në qytetin e Vlorës, ngjarje kjo e ndodhur në datën 10 Maj të këtij viti, dhe ku mbeti i plagosur një kalimtar i rastit, Dajko Canodemaj.
Vetë Hajrulla i cili dyshohet se ka qenë shënjestër e atentatit është arrestuar në muajin Qershor nga ana e policisë, pasi dhe vetë ai ka qëlluar me armë gjatë përplasjes.
Faxweb.al mëson se katër personat e arrestuar janë:
Daut Elmazi
Albano Goxhaj
Dejvison Serjani
Ardjan Ahmeti
Kujtojmë se Ines Hajrulla ka qenë objektiv i një atentati dhe në 2017, pavarësisht se mbeti i plagosur rëndë dhe humbi të dyja këmbët. (Lexo edhe ketu)
Dy vrasjet e bujshme në Vlorë ku dyshohet se implikohet Hajrulla:
Inez Hajrulla me precedent penalë kishte lidhje gjaku me Renato Imerin i ekzekutuar më 31 korrik 2017-të pranë një lokali tek Lungomare, si dhe me 25-vjeçarin Endrit Çaushin, i vrarë më 21 dhjetor 2015-të në një atentat në Durrës, bashkë me një mikun e tij.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të punës intensive për zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë, Policia dokumenton ngjarjen e ndodhur në maj të 2019.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Gjurmimi”.
Vihen në pranga 4 shtetas.
Në vijim të ngjarjes së ndodhur më datë 10.05.2019, në lagjen “Ujë i Ftohtë”, ku persona të paidentifikuar qëlluan me armë zjarri në drejtim të një lokali dhe si pasojë mbeti i plagosur 63-vjeçari D. C., ju informojmë se:
Policia e Vlorës, si rezultat i punës intensive hetimore prej 6 muajsh, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Vlorë, ka bërë zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcave Operacionale, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative për vendodhjen e personave të dyshuar si autorë dhe bashkëpunëtorë në këtë ngjarje, kanë organizuar punën duke finalizuar operacionin policor të koduar “Gjurmimi”, si rezultat i të cilit kanë bërë ndalimin e shtetasve:
• D. E., 25 vjeç, banues në Vlorë;
• A. G., 24 vjeç, banues në Fier;
• D. S., 28 vjeç, banues në Tiranë;
• A. A., 26 vjeç, banues në Tiranë;
Në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.
Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
(E.K/Faxweb.al)