Presidenti Ilir Meta ka pritur në zyrën e tij ish-presidentin e vendit Rexhep Meidanin, ku fokus i diskutimit kanë qenë zhvillimet politike në vend dhe rëndësia e zgjidhjes së rëndë politike dhe institucionale.
“Së bashku me ish-Presidentin, Prof.Rexhep Meidani diskutuam sot për zhvillimet më të fundit në vend dhe rëndësinë e zgjidhjes së krizës së rëndë politike dhe institucionale.”- shkruan Meta, duke mos dhënë më tepër detaje rreth takimit.
Kujtojmë se pak kohë më parë kreu i shtetit Ilir Meta teksa kishte shpallur si datë zgjedhjes 13 tetorin, pasi anulloi me dekret datën 30 qershor, tha se ishte i gatshëm të futej në garë nëse në zyrën e tij do të vinte Rexhep Mejdani.
“Unë s’kam patur iluzione, që Shqipëria do organizojë zgjedhje daneze, kjo është çështje që kërkon kulturë tjetër. Presidenti do japë shembullin personal, nëse s’do bëjmë zgjedhje në 13 tetor, do bëjnë zgjedhje Presidenciale. Presidenti është dhe më i hapur, nuk ka frikë nga vota e shqiptarëve, që në rast se do kryeministri të lerë dhe detyrën e Presidentit, gjithmonë duke konkurruar në 13 tetor, por me një kusht që në këtë zyrë të vij një person me shumë integritet dhe që ka qenë në këtë zyrë dhe që ka provuar që mbrojtja e interesit kombëtar, pra të jetë profesor Rexhep Meidani“, tha ai.
Ditën e sotme presidenti Ilir Meta priti në zyrën e tij përfaqësues të trupës diplomatike, ekspertë të çështjeve zgjedhore si dhe krerët e partive opozitare në koalicion me Partinë Demokratike ku u diskutua për dy çështje më rëndësi, ajo e ngërçit me Gjykatën Kushtetuese dhe plani për hartimin e Reformës Zgjedhore.
Pas takimit kreu i PD-së Lulzim Basha, theksoi rëndësinë e zgjedhjeve të parakohshme të përgjithshme dhe vendore në të njëjtën ditë, e për këtë kujtoi edhe shembullin e Maqedonisë së Veriut.
(M.Q/Faxweb.al)