Barcelona ka publikuar pamje të reja nga “Matchday”, dokumentari që i kushtohet sezonit të kaluar të skuadrës katalanase. Ai do të dalë në treg të premten, më 29 nëntor, dhe përkon me 120-vjetorin e klubit blaugrana. Në të mund të shohim se si Shakira, partnerja e Gerard Piqué, e përjetoi mjaft keq eliminimin e Barcelonës kundër Liverpool, në “Anfield”, sezonin e kaluar.
Ajo përmbysje epike e “Reds”, e pamenduar nga askush, mahniti botën e futbollit, ndërkohë që shokoi katalanasit. Skuadra e Ernesto Valverde e fitoi gjysmëfinalen e parë të Champions-it në shtëpi, me rezultatin 3-0, por në kthim përjetoi makthin më të madh, duke u mundur 4-0 dhe eliminuar.
Dy dopietat e Origi dhe Wijnaldum u përjetuan tmerrësisht keq në Barcelonë, edhe nga partnerja e e Pique. Këngëtarja kolumbiane, siç duket në video, tejet e nervozuar, nuk mund t’iu besonte syve të saj: “Jooo! Unë nuk e besoj këtë”, – bërtet Shakira.
Ndërkohë, Milani, më i madhi i dy fëmijëve që ajo ka me qendërmbrojtësin e Barçës, e pyet se çfarë rezultati i duhej ekipit të babait të tij për të arritur në finalen e Champions-it. Në fakt ajo finale pa përballë dy skuadra angleze, Liverpool dhe Tottenham. “Reds” e Jürgen Klopp e fituan trofeun e shumëlakmuar.
? MATCHDAY
Only 9️⃣ days to go
? @RakutenTV pic.twitter.com/nTqqc061SD— FC Barcelona (@FCBarcelona) November 20, 2019