Presidenti Ilir Meta ka ashpërsuar tonet ndërsa ka pranuar se zëdhënësi i tij, Tedi Blushi është shantazhuar në emër të një Ambasade të huaj në Tiranë.
Meta shprehet se i është kërkuar të tërheqë një postim të bërë në rrjetet sociale sot paradite për shkak të detyrës brenda 30 minutash.
Ndërsa Presidenti është shprehur se shpreson të jetë lojë e Rilindjes pasi në të kundërt, sipas tij, mjerë ata diplomatë që mund të kenë kërcënuar Zëdhënësin e Presidentit të Republikës.
“Po, zëdhënësi im, z.Tedi Blushi është shantazhuar në emër të një Ambasade të huaj në Tiranë, që të tërheqë një postim të bërë sot paradite për shkak të detyrës brenda 30 minutash.
Kam kërkuar hetim të menjëhershëm.
Shpresoj të jetë lojë e Rilindjes por mjerë ata diplomatë që mund të kenë kërcënuar Zëdhënësin e Presidentit të Republikës”, shkruan Meta.
Presidenti Ilir Meta ka shpërthyer në akuza të forta në dalje të zyrës së tij paraditen e sotme, teksa tha se Fatmir Xhafaj ka ushtruar presion mbi Vitore Tushën, që kjo e fundit të votonte kundër Marsida Xhaferllarit në Gjykatën Kushtetuese,
Me tone aspak të zakonshme për të, Meta tha se e vetmja zgjidhje që ka sot vendi është referendumi, ku ai do të jetë në anën e shqiptarëve, ndërsa Rama ‘’me palaçot ndërkombëtarë”.
Meta tha se ai SHBA-të i ka në zemër, po nuk mund të pranojë heshtjen e ”Rrugës së Elbasanit”, teksa Kushtetuta e Shqipërisë shkelet në të gjitha format (lexo të plotë).
Ndërkohë më herët, Zëdhënësi për mediat i presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi ka sqaruar opinionin publik në lidhje me bisedën e zhvilluar ndërmjet Zv.Ndihmës Sekretarit të Shtetit të SHBA, z.Matthew Palmer dhe Presidentit të vendit, mbrëmjen e kaluar.
Blushi njofton se është zhvilluar një bisedë rreth 30 minuta me kërkesë të Palmer dhe se gjatë bisedës telefonike qendrimet e Metës kanë qenë mjaft të qarta transparente dhe shteruese.
Madje Blushi i kërkon zëdhënësit për mediat të ambasadës së SHBA-së, Guri Lekloti se nëse e autorizon janë të gatshëm ta publikojnë bisedën telefonike (lexo të plotë).
Me sa duket deklarata e Blushit ka nxitur edhe ndonjë reagim jopublik të ambasadës amerikane të cilës i përgjigjet Presidenti, Ilir Meta ku pranon se zëdhënësi i tij është shantazhuar dhe kërcënuar.
(F.GJ/FAXWEB.AL)