Ish-presidenti Bujar Nishani deklaroi mbrëmjen e sotme se anëtare e Gjykatës Kushtetuese është Marsida Xhaferllari dhe jo Arta Vorpsi dhe duke cituar Kushtetutën, theksoi se midis Kushtetutës dhe Ligjit, prevalon Kushtetuta, e në këtë mënyrë sipas tij Xhaferllari është anëtarja e re.
“Kushtetuta thotë se Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë, 3 zgjidhen nga Parlamenti, 3 nga Kuvendi dhe 3 nga Gjykata e Lartë. Së dyti Kushtetuta thotë se anëtarin e parë e zgjedh Presidenti, të dytë Parlamenti dhe të tretin Gjykata e Lartë dhe vijon në këtë mënyrë me radhë deri sa të plotësohen 9 vendet. Pika e tretë thotë se anëtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën vetëm pas betimit tek Presidenti”, tha Nishani në “Opinion”.
Pjesë nga biseda:
Pyetje: Por thotë që nëse Presidenti për 30 ditë nuk nxjerr një dekret për të tre, hynë dirket e para…
Nishani: Jo nuk e thotë këtë.
Pyetje: E thotë ligji.
Nishani: Ka një hierarki në mbarë botë dhe vendin tonë, midis Kushtetutës dhe Ligjit prevalon Kushtetuta.
Pyetje: Pse është ky lëmsh?
Nishani: Sepse ata të cilët tentuan të bëjnë një ligj, menduan që të manipulojnë Kushtetutën. Kushtetuta ndryshoi në korrik të 2016 me konsensusin e të gjitha palëve. Maxhoranca filloi menjëherë hilet e saj me synim për të kapur Kushtetutën dhe bëri artifica të tilla në ligj që bien ndesh me Kushtetutën
Pyetje: Pra ju jeni të bindur se Marsida Xhaferllari është anëtarja e Kushtetueses?
Nishani: Sepse ajo është kandidaturë që i takon Presidentit, ajo është betuar para Presidentit dhe Gjykata Kushtetues e ka afirmuar atë si anëtare, është i vetmt organ që mund ta bëjë këtë shpallje.
(F.GJ/FAXWEB.AL)