Një 85-vjeçar ka rrëfyer për FaxNews tmerrin e përjetuar nga tërmeti i rënë në orën 03:56 të mëngjesit të sotëm. Si pasojë e tërmetit deri tani burimet raportojnë për 18 viktima dhe mbi 600 të plagosur.
Qytetari, Sali Gasa, në momentin e rënies së tërmetit ka qenë brenda në pallat.
Sipas videos që ka dërguar korrespodentja e FaxNews në Thumanë, 85-vjeçari tregon se në pallatin pranë tij ka trupa të pajetë.
“Në këtë pallat 5-katësh u bënë 30 vjet që banoj. Kur ra tërmeti isha brenda, me rrëmbim dola jashtë. Edhe të tjerët dolën. Ky pallat nuk pati asnjë aksident, njerëz jo. Ai tjetri pati sa të duash. Ai pallati tjetër ka kufoma. Nuk e di sa kufoma ka, por dy njëherë e di, më tepër nuk di”, shprehet Sali Gasa.
Ndërkohë, gazetarja e FaxNews raportoi se deri tani janë shpallur të vdekur në pallatin e shembur në Thumanë Lute Çupi dhe Hajredin Çupi.
(M. I./ Faxweb.al)