Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar një takim me kreun e Kuvendit Gramoz Ruçi.
Për 30 minutash Meta dhe Ruçi qëndruan në zyrë, për të diskutuar mbi situatën e krijuar pas tërmetit të 26 nëntorit. Mirëpo, në fokus të takimit të Metës dhe Ruçit nuk ka qenë vetëm situata e lidhur me tërmetin por edhe situata politike në vend.
Më herët nga Presidenca u largua kryeministri Edi Rama dhe ministrat e qeverisë, ndërsa Ruçi ka qëndruar për të biseduar siç duket më privatisht me Metën.
Mbledhja ka zgjatur rreth 60 minuta, ndërsa në të nuk ka qenë i pranishëm Kreu i PD-së, Lulzim Basha, i cili nuk ka pasur ftesën për të marrë pjesë.
Gjithashtu në mbledhje nuk ka qenë i pranishëm as Bledi Çuçi, i cili është ngarkuar nga Kryeministri për menaxhimin e emergjencës.