Edi Rama u kthye ditën e djeshme nga Anglia ku merrte pjesë në festimet e 70-vjetorit të themëlimit të Natos-s duke bërë një ndalesë në Itali ku dha intervistë për Bruno Vespën në emisionin e mbrëmjes “Porta A Porta”.
Por para se të shkonte ne emision ai konsumoi kafe me këshilltarin e tij, Endri Fugën ndërkohë një personazh që nuk del kurrë në skenë filmon momentet që nga hyrja e Ramës në lokal me telefon në vesh, bisedat për ndihmat ndaj tërmetit apo takimin rastësor me kamarierin e barit i cili qëlloi shqiptar. Madje këtë të fundit Rama e ftoi në tavolinë ku e vuri në dijeni të situatës në Shqipëri dhe i tregoi planet e qeverisë për të rikuperuar dëmet.
Por ajo që në fakt u vu re gjatë gjithë kësaj skeme më së shumti është mënyra se si Rama futet në lokal duke ‘folur’ në telefon dhe pasi përfundon ‘bisedën’, i thotë Fugës që e priste me personazhin misterioz që regjistron filmimet, se BE kishte ofruar ndihmë prëj 15 milionë eurosh.
Në fakt për ata që e njohin markën e iPhone e kanë të qartë se celulari nuk qëndron i ndezur gjatë kohës që je në komunikim aktiv me dikë, pasi është parashikuar dhe pranuar nga kompania e prodhimit se parandalon shtypjen padashje të ndonjë komande që mund të ndërpresë veprimet e mëparshme. Pra në kuptimin më popullor, në momentin që përdoruesi merr një telefonatë, sensorët fiken dhe ekrani bëhet i zi. Ndërsa në videon e mëposhtme dallohet krejt e kundërta.
A po fliste Rama në telefon kur u fut brenda lokalit? Nëse jo, pse duhej ta bënte një veprim të tillë? Praktikisht Rama doli ‘zbuluar’ dhe kjo nuk ka ndonjë rëndësi të madhe pasi nuk është e dëmshme për një vend që kryeministri flet me vete dhe bën sikur komunikon në telefon. Por nuk mund të themi të njëjtën gjë nëse kryeministri flet me vete, bën sikur po bisedon në telefon, diskuton më pas publikisht që ka folur me dikë për një temë të rëndësishme si donacionet për dëmet nga tërmetet, dhe në fund të gjithë kësaj nuk ka pasur një bisedë reale.
Ndërsa rastësia e kamarierit nga Elbasani që i shërben kafenë kryeministrit në Itali, është histori tjetër, që pas asaj të parës, nuk ka nevojë për shpjegim
(F.GJ/FAXWEB.AL)