Ish-zv/ministri i Arsimit, Taulant Muka refuzoi të pranojë ndihmën që Turqia ka ofruar për familjet e prekura nga tërmeti.
Në rrjetet sociale, ai kërkoi që të mos mbrohet lypja që sipas tij kryeministri Edi Rama po i bën presidentit turk, Recep Tayip Erdogan, por të kërkohet llogari se ku kanë vajtur taksat e shqiptarëve.
“Turqia njeh grekët dhe armenët si minoritet por jo shqiptarët në Turqi (që janë mbi 5 milionë), pasi na konsideron ne shqiptarëve turq! Si mundet ne të përqafojmë lypjen e kryeministrit të një shteti që nuk na njeh të drejtat?!
Pse mbroni lypjen e kryeministrit, dhe nuk pyesni veten ku kanë shkuar taksat që kemi paguar?! Nëse taksat tona nuk do ishin vjedhur, sot do kishte para për të përballuar jo 500 shtëpi, por 5000 e më shumë! Nëse taksat tona nuk do ishin vjedhur, sot kryeministri i vendit nuk do na turpëronte si komb dhe të na nxirrte në shitje!”, deklaroi ish-zv.ministri.
Sipas Mukës, Turqia po e jep këtë ndihmë sepse ka interes sepse shfrytëzon pasuritë e kromit në Shqipëri.
“Pse mendoni se vendet e Bashkimit Europian nuk na ndihmojnë? Vendet perëndimore me drejtësi të fortë nuk e financojnë korrupsionin! 500 shtëpi nuk janë asgjë para asaj që Turqia fiton duke shfrytëzuar pasuritë e kromit (dhe pasuri të tjera) në Shqipëri! Paraja që Turqia ka marrë nga kromi nuk ka sjellë zhvillim të vendit, përkundrazi varfëri!
Për ata që e duan Erdogan, le të shkojnë në Turqi dhe të kuptojnë përpjekjet e popullit turk për të larguar pushtetin diktatorial. Ndihma dhe lëmosha e një diktatori nuk sjell zhvillim! Është vetëm forca dhe puna jonë si komb që mund të ndërtojë shtetin shqiptar!”, u shpreh Taulant Muka.
(M. I./ Faxweb.al)