Po vijon mbledhja e komisionit të Edukimit dhe Medias ku po diskutohet për paketën anti-shpifje të propozuar nga kryeministri Edi Rama, ndërsa me sa duket deputetët e majtë janë të vendosur për ta çuar deri në fund procesin e nisur brenda mbrëmjes së sotme.
Mësohet nga Faxweb.al se diskutimet kanë ngecur tek 3 pika të nenit 29 të projektiligjit ndërsa po flitet për ndërhyrjen e “AKEP” lidhur me njoftimin të karakterizuar teknikisht si “pop up”.
Sipas raportimeve, Komisioni ka vendosur uljen e gjobës së parashikuar për portalet e cila pritet të jetë maksimumi 4 milionë lekë të vjetra.
Konkretisht po diskutohet për pikat 6,7 dhe 8 të këtij neni të cilat thonë:
- Kundër vendimit të bllokimit të aksesit në internet subjekti ka të drejtë të bëjë ankim pranë AMA-s brenda 30 ditëve nga data e shpalljes ose e njoftimit, sipas pikës 3, të këtij neni. AMA shqyrton ankesën dhe shpall vendimin jo më vonë se 10 ditë. Kundër vendimit të AMA-s mund të bëhet ankim në Gjykatën Administrative, Tiranë.
- Vendimet e AMA-s ekzekutohen nga shërbimi përmbarimor, sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Civile. AMA nuk ka detyrim të parapaguajë taksën apo tarifën për shërbimin përmbarimor.
- Kundër vendimit të KA-së së AMA-s mund të bëhet ankim sipas dispozitave të pikës 6 të këtij neni. Ankimi nuk pezullon ekzekutimin e vendimit të Këshillit të Ankesës.
Nga sa më sipër kuptohet se Komisioni i Medias ka ndryshuar trajektore duke kërkuar që ndryshe sa kanë mbrojtur në fillim, vendimi përfundimtar për të gjobitur mediat të mos merret nga AMA por nga Gjykata Administrative, Tiranë.
(F.GJ/FAXWEB.AL)