Prokuroria Themelore në Prishtinë ka marrë nën shqyrtim kallëzimin penal që Albin Kurti dhe Glauk Konjufca kanë bërë kundër Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. Një fakt të tillë e bëri të ditur Lëvizja Vetëvendosja në një njoftim për mediat.
“Me 25 prill të këtij viti Albin Kurti, kryetari i Lëvizjes, dhe Glauk Konjufca, asokohe drejtues i Grupit Parlamentar, në Departamentin për Krime të Rënda të Prokurorisë Themelore në Prishtinë bënë kallëzim penal kundër z. Hashim Thaçi dhe z. Kadri Veseli, për lajmërim apo kallëzim të rremë (sipas kuptimit të Nenit 382, par. 1, 2 dhe 4), dhe deklaratë të rreme nën betim (sipas kuptimit të Nenit 383, par. 1 dhe 2, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK) Nr. 06/L-074)”, njoftoi Vetëvendosja.
Gjithashtu bëhet e ditur se Albin Kurti dhe Glauk Konjufca janë thirrur nesër në prokurori për të dhënë dëshminë e tyr për këtë kallëzim për dëshmi të rreme në betim.
“Më në fund një lajm i mirë, pas shtatë muajsh prokuroria ka nisur ta trajtojë këtë rast, dhe kanë ardhur fletëthirrjet që përfaqësuesit e Lëvizjes, Albin Kurti e Glauk Konjufca të paraqiten në prokurori nesër e të japin dëshmitë e tyre lidhur me këtë rast dhe me kallëzimin penal që e kemi ngritur”, njoftoi Lëvizja Vetëvendosja.
(M. I./ Faxweb.al)