Ambasadori austriak në vendin tonë Christian Steiner i pyetur nga mediat në Elbasan për ligjin e medias është deklaruar kundër kalimit të tij në Kuvend, nga mazhoranca socialiste.
Ai u shpreh se liria e medias është themelore dhe duhet respektuar, ndërsa ka mbështetur dhe qëndrimin e Komisioneres së Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatovic, e cila tha dje se “Paketa antishpifje”, e propozuar nga qeveria shqiptare “ka nevojë për përmirësim urgjent. Disa dispozita në të vërtetë nuk janë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe evropiane për të drejtat e njeriut që mbrojnë lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave”.
“Unë mendoj se media duhet të jetë e lirë”, është shprehur ambasadori austriak.
“Unë jam veçanërisht e shqetësuar që kompetencat diskrecionale që u janë dhënë organeve rregullatore, mundësia e vendosjes së gjobave të ekzagjeruara dhe bllokimi i faqeve të internetit të mediave pa një vendim gjyqësor, si dhe ndërhyrja e një rregullimi nga Shteti të mediave online, mund të sjellin një goditje të fortë për lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave në vend” , theksoi dje zonja Mijatovic, e cila më parë ka mbulluar dhe funksionin e Përfaqësuesit të OSBE-së për Lirinë e mediave.
Në deklaratën e saj për situatën e krijuar në Shqipëri, Komisionerja e Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut nënvizon se “është me rëndësi të madhe të sigurohet që interneti të mbetet një forum i hapur dhe publik dhe që të mbizotërojë vetë-rregullimi nga ana e mediave, përfshirë mediat online”, ndërsa i bën “thirrje anëtarëve të Parlamentit të Shqipërisë që të rishikojnë projekt-ligjet aktuale dhe t’i bëjnë ato në përputhje me praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe standardeve të Këshillit të Evropës”.