Kryetari i LDK, Isa Mustafa shfrytëzoi 30-vjetorin e krijimit të partisë së tij për t’i dërguar mesazh në distancë Lëvizjes Vetëvendosje për arritjen e marrëveshjes për qeverinë e re.
Isa Mustafa deklaroi se si LDK, ashtu edhe VV, kanë dalë me rezultate të barabarta në zgjedhje dhe si rrjedhojë nuk duhet të pretendojë për më shumë poste. Ai kërkoi që Albin Kurti t’i lexojë mirë rezultatet e zgjedhjeve.
“Kemi qenë të bindur se do ti fitojmë zgjedhjet. Kemi mbetë me një deputet mbrapa partisë që ka dalë e para në këto zgjehdje, ne vlerësojmë votën e qytetarëve dhe i mbetemi besnik kësaj vote. Si rezultat i zgjedhjeve të fundit LDK ka treguar vullnet të qeverisë me Vetëvendosje dhe të ndajë përgjegjësitë për qeverisjen e shtetit.
Pjesëmarrja në një qeverisje të tilë kemi vlerësuar të jetë në harmoni me besimin që kemi marrë në këto zgjedhje. Po bëjmë përpjekje të arrijmë marrëveshje me VV, që i siguron Kosovës një qeveri stabile, 4 vjeçare. Në përpjekjet tona për të arritur marrëveshje, jemi të vetëdijshëm për dallimet ideologjike për kulturën politike dhe të kaluarën, por po bëjmë përpjekje të gjejmë rrugë të jemi bashkë në qeverisje.
T’i trajtojmë të gjitha pozitat dhe të sigurojmë një balance shtetëror që ti kontribojmë demokracisë së shtetit. Jemi subjekte pothuajse të barabartë me një diferencë prej një deputeti, le t’i lexojë qartë rezultatet sepse ne po i lexojmë qartë rezultatet”, tha Isa Mustafa.
Ai shtoi se dëshira për të arritur marrëveshjen qëndron. “LDK është parti e parë pluraliste në Kosovë, kemi marrë përgjegjësi për Kosovën në të gjitha fazat e paraluftës dhe pasluftës, prandaj më se paku kemi nevojë për presion publik e mediatik për këtë marrëveshje, sidomos nuk kemi nevojë për presion nga ata që kanë mbrojtur portat e partive të të tjerëve.
Ne kemi dëshirë pa këtë presion dhe pa fushatë kundër LDK-së ta bëjmë një koalicion meritor për qeverisjen e ardhshme”, deklaroi Isa Mustafa.
(M. I./ Faxweb.al)