Seanca e ndërmjetësimit, sot në “Shihemi në gjyq” vendosi përballë njëri-tjetrit Alketën dhe personin që akuzoi vëllain e saj për vjedhje. Edliri dhe vëllai i saj Floriani kishin qenë miq shumë të mirë në fëmijëri, por që prej 24 vitesh nuk ishin parë me njëri-tjetrin.
Në 4 dhjetor të vitit 2014, Edliri kapet teksa tenton të vjedhë në një gurore në Sarandë, por aty pronari e dikton dhe e qëllon me armë. Ai transportohet nga policia për në spital dhe aty ai tregon se ishte sëbashku edhe me dy persona të tjerë, njëri prej të cilëve vëllai i Alketës.
Por Alketa pretendon se kjo gjë nuk është e vërtetë, pasi vëllai i saj ishte në Greqi kur kishte ndodhur ngjarja. Edliri në studio tregon se ai nuk kishte shkuar për të vjedhur, thjesht kishte kaluar aty për të shkuar në Greqi.
Ai pranon se Floriani nuk ishte sëbashku me të, por emrin i tij i ka ardhur ndërmend rastësisht kur e kanë pyetur, sepse pretendon se nuk ka qenë i vetëdijshëm. Përballja e tyre në studio është tepër e fortë sepse Alketa e akuzon si gënjeshtar dhe nuk mungojnë edhe fjalët fyese ndaj tij.
Alketa: Ku e njeh vëllain tim ti? Sa vjet ke pa e parë?
Edlir: Vëllain tënd unë kam 24 vjet pa e parë.
Alketa: Si të erdhi dhe the emrin e vëllait tim?
Edlir: Unë e kam bërë atë gjë pa vetëdije, se kam qenë i plagosur.
Alketa: Po nuk të besoj, ore fytyrë e qelbur. Pse nuk the emrin e vëllait tënd ose të tjetrit kush ishte?
Edlir: Po mirë, mos më beso, unë po të them të vërtetën, ndaç më beso, ndaç mos më beso.
Alketa: Nuk të besoj asnjë gjë, je një gënjeshtar që vazhdon dhe thua gënjeshtra. Ishe pa vetëdije ti? Dije ta thoje emrin e vëllait tim ti, kur ke 20 e ca vjet pa e parë.
Edlir: Pa vetëdije. Ai më erdhi në mendje që e thashë, ngaqë kishim kaluar një fëmijëri të vogël me atë dhe ai më erdhi në mendje.
Alketa: Pse nuk the një emër tjetër, të një kushëririt tënd? Po vajte dhe the emrin e vëllait tim. Po unë çfarë faji kam të vuaj, e di ti shpenzimet që kam bërë në Greqi, kam ngelur zero se ato lekë po i nxjerr me djersë, nuk po i nxjerr me vjedhje, se vajte ti vodhe dhe të ushqesh familjen tënde. Turp të kesh!
Eni Çobani: Zonja Alketa, çfarë dini ju për ngjarjen? Sepse më duket se po e pyesni si Prokurori tani Edlirin. Pyetjet e Prokurorisë, Edliri i ka kryer, ka bërë dhe dënimin, po ju vë në dijeni se ndoshta ju nuk e dini. Ne këtu kemi ardhur këtu komplet për diçka tjetër. Unë dua të di kush është e vërteta e zotit Florian Goreja, që po vuan dënimin sot në një burg grek?
Ardit Gjebrea: Sa kohë ka që është në burg Floriani?
Alketa: Në 15 janar të 2015 kemi ardhur për vdekjen e xhaxhait, atje na mbajtën në doganë, për arsye se ishte bërë vjedhja në Sarandë, po ne nuk dinim asgjë. Na mbajtën brenda atë natë dhe morën në telefon policinë e Sarandës dhe i thanë këta njerëz nuk dinë asgjë, kanë ardhur për vdekje. Atje pastaj na lëshuan, erdhëm për vdekjen e xhaxhait dhe u kthyem prapë./tvklan.al