Kryeministri Edi Rama ka deklaruar mbrëmjen e sotme se me Lulzim Bashën nuk ka pasur asnjë komunikim që prej daljes nga Parlamenti të opozitës rreth një vit më parë, përjashtuar sipas tij rastit kur tërmeti i datës 26 Nëntor tronditi vendin.
Rama tha se i ka kërkuar kryetarit të opozitës që të jenë bashkë ato ditë, ndërsa ka rrëfyer se përveç kësaj më kryedemokratin ka komunikuar kur ky i fundit ka qenë ende në Parlament.
“Nuk ka pasur asnjë sms në Shkurt. Unë i kam çuar një mesazh (Bashës) në ditët pas tërmetit për t’i kërkuar…sugjeruar që të jemi bashkë, dhe kaq. Komunikimi i fundit me të ka qenë kur PD ka qenë ende në Parlament”, tha Rama në emisionin “Kjo Javë” në TVSH.
Më tej kryeministri ka folur edhe për djegien e mandateve nga ana e deputetëve të opozitës, vendim për të cilin argumentoi ai, nuk ndjen asnjë keqardhje.
Sipas tij, ky ishte një vendim në sajë të përpjekjes për të krijuar një situatë pamundësie ndërsa shtoi se ai ka për detyrë të bëjë që opozita të dobësohet e jot ë forcohet.
“Ajo që ndodhi vjet ishte një grahmë e madhe e fundi të një politike, e cila nga braktisja e garës, ka pasur një nga kuajt e vet të betejës (djegia e mandateve). Nuk do ketë një parti politike në Shqipëri, të një përmase të caktuar, që do i hyjë një rruge vetëvrasëse. Ka qenë një përpjekje e bërë nga ana e tyre me idenë që do t’ja dalin të krijojnë një situatë pamundësie. Nuk mendoj se unë kam detyrë që të ndihmoj opozitën që të bëhet më e fortë, apo që të jetë më e gatshme që të fitojë zgjedhjet. Mendoj se kam detyrë që në këtë sfidë me opozitën të bëjë atë që është e mundur që ajo të dobësohet. Natyrisht duke respektuar rregullat dhe duke ndjekur parimet e lojës demokratike pa përdorur në asnjë moment formën e pushtetit për ta tkurrur apo intimiduar.
Se opozita shkon drejt vetëvrasjes si rezultat i vendimmarrjes së vet të gabuar dhe mungesës strategjike, kjo as nuk më bën mua autor të kësaj vendimmarrje, dhe s’më bën të ndihem i keqardhur. Edhe sikur të jetë kështu, nuk shoh se cila është pjesë që të më bëjë mua të ndihem se nuk kam bërë detyrën. Nuk është se kam menduar se si të shtyjë opozitën në qoshe, dhe faktet nuk flasin për këtë. Nëse ka pasur një opozitë që ka protestuar pa asnjë lloj shqetësimi dhe frike, por ka qenë e garantuar, ka qenë kjo opozitë. Kësaj opozite nëse i ka munguar diçka, nuk ka qenë si rezultat i ushtrimit të pushtetit, por i ka munguar mendja për të pasur një skuadër dhe lidership të fortë.”, tha Rama.
(F.GJ/FAXWEB.AL)