Minsitri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj ka dalë në një deklaratë për shtyp ku ka sqaruar hapat që do të ndiqen për rindërtimin epo rikonstruksionin e banesave të dëmtuara nga tërmeti i 26 Nëntorit si dhe ndërtimin e qytezave të vogla në këtë kontekst.
Ahmetaj ka treguar edhe përgjegjësitë e posaçme që kanë bashkitë në këtë proces, afatet kohore të regjistrimit ligjor të familjeve të dëmtuara dhe gjetjen e tokave ku do të bëhet rindërtimi.
Ministri tha se bashkitë gjithashtu do të kenë detyrën e hapjes së një platforme elektronike ku familjet e prekura nga tërmeti të mund të regjistrohen duke aplikuar që të bëhen pjesë e përfitimit nga donacionet e ardhura pë rindërtimin.
“Deri në momentin e rikthimit në shtëpitë e tyre, banorët do të kenë mundësi të qëndrojnë në shtëpitë me qera. Nga 2 Janari kryeministri ka kërkuar gjithë kryetarëve përkatës të Bashkive të prekura, të fillojnë përcaktimin konkret të tokave ku do të ndërtohen apo rindërtohen qytezat urbane që tashmë janë pjesë e ligjit të posaçëm të rindërtimit. Për 15 deri në 20 ditë do të kemi të përcaktuar gjithë territorin, referohemi Kurbinit, Krujës, Lezhës, Durrësit, Kamzës, Tiranës në bazë të vlerësimit, bashki këto që janë të detyruara të sjellin brenda 15-20 ditësh trojet ku do të ndërtohen qytezat e banimit dhe mirë është që ato të jenë prona shtetërore.
Sot kemi nisur procesin e hartimit të programit për kompensimin, që është për t’u thënë se është hera e parë që hartohen ligje të posaçme të emergjencave në nevojë të qytetarëve, për përzgjedhjen e përfituesve në programin e rindërtimit. Ditën e nesërme ka një takim të posaçëm me krerët e bashkive, ku do të bëhet lista ligjore e familjeve që kanë humbur shtëpitë, që janë vlerësuar si të pabanueshme ose banesa që kanë nevojë për rikonstruksion, sepse edhe këto do të përfshihen në atë që quhen grante të rindërtimit.
Do duhet që të ngrihet menjëherë një platformë elektronike aplikimi online që do të jetë shumë i thjeshtë, me hapjen e platformës në bashkitë përkatëse do të aplikojnë. Njësitë zbatuese, bashkitë dhe Këshilli i Ministrave duhet të punojë dhe vënë në zbatim këtë nismë për të qenë më e thjeshtë për qytetarët. Një vendim tjetër është caktimi i rregullave e procedurës së rindërtimit, nuk është një vendim, i thjeshtë por shtyllë sepse detyron bashkitë në afat kohor, që menjehërë në bazë të caktimit të tokave ku do të ndërtojnë, i detyrojnë brenda një kohe shumë të shkurtër, 30 ditore të bëjnë master-planet, pa këto nuk mund të kalojnë dot në fazën e rindërtimit.
Një vendim tjetër ka të bëjë me rregullat për kujdesin ndaj qytetarëve për akomodimin, bonuset e qerave, ushqime e veshmbathje etj, deri kur familjet të futen në banesat e reja të ndërtuara rishtazi apo të rikthehen në banesat e tyre të rikonstruktuara. Edhe familjet që banonin në banesa pa leje, në bazë të ligjit natyrisht të miratuar me VKM kanë të drejtë të regjistrohen për të përfituar nga procesi i rindërtimit. Besoj se në pranverën e vitit tjetër gjitha familjet e prekura, në masën 100% të gjitha kategoritë do të jenë të përfshira në këtë proces dhe do të prekin rezultatin. Do të ketë një zhvillim urbano-ekonomik të qëndrueshëm dhe që do të sjellë edhe zhvillim ekonomik”, tha Ahmetaj.
(F.GJ/FAXWEB.AL)