Një 19-vjeçar është arrestuar ditën e sotme në Kurbin pasi udhëtonte me një mjet tip “Renault” pa rrip sigurimi, ndërsa pasi u ndalua nga Policia rrugore, refuzoi të tregonte dokumentet dhe tentoi të largohej.
Efektivët kanë arritur të neutralizojnë të riun ndërsa kanë ushtruar edhe kontroll në mjet ku kanë gjetur një armë zjarri e llojit pistoletë të cilën e mbante pa leje.
Në vijim të veprimeve, Seksioni për Parandalimin dhe Hetimin e Krimit në Komisariatin e Kurbinit arrestoi shtetasin D. P., 19 vjeç, banues në Laç I cili tashmë rrezikon nga 5 deri në 7 vite burg.
Njoftimi i Policisë:
I riu qarkullonte me armë zjarri pa leje dhe kundërshtoi punonjësit e Policisë duke tentuar të largohej, por arrestohet në flagrancë nga shërbimet e Policisë Rrugore.
Policia Rrugore e Lezhës, në vijim të punës dhe në zbatim të planit të masave për rritjen e parametrave të sigurisë, këshillimin e drejtuesve të mjeteve për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor, si dhe për kapjen e ndalimin e shtetasve në kërkim dhe atyre që qarkullojnë me armë zjarri, ka ushtruar kontrolle në rrugë të ndryshme në të gjithë Qarkun Lezhë.
Si rezultat i këtyre kontrolleve të shtuara, në Laç, punonjësit e Policisë Rrugore kanë ndaluar një mjet tip “Renault”, pasi drejtuesi qarkullonte në mjet pa rrip sigurimi. Shoferi nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë, kur iu kërkua të paraqesë dokumentacionin, duke tentuar të largohet me mjet, por Policia ka mundur ta neutralizojë.
Gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit në mjet iu gjet në çantën e krahut, një armë zjarri e llojit pistoletë, të cilën e mbante pa leje. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit pistoletë dhe një krehër me 5 fishekë. Në vijim të veprimeve, Seksioni për Parandalimin dhe Hetimin e Krimit në Komisariatin e Kurbinit arrestoi shtetasin D. P., 19 vjeç, banues në Laç.
Me ndryshimet e fundit në Kodin Penal, mbajtja e armëve në automjete apo në mjedise publike, pa lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohet me burgim nga 5 deri në 7 vjet.
Nga data 1 deri në 8 janar 2020 janë sekuestruar, falë kontrolleve nga Policia e Shtetit, 1 pistoletë, 2 kallashnikovë, 2 armë gjahu, 3 pushkë, 1 silenciator dhe 2 armë të ftohta (thika).
(F.GJ/FAXWEB.AL)