Milani, pasi ka blerë Zlatan Ibrahimovic, së shpejti do të zyrtarizojë Simone Kjaer, që do të mbërrijë nga Atalanta, por me huazim nga Sevilla. Deri këtu, gjithçka duket plotësisht normale, nëse nuk do të llogaritej edhe një fakt, që dy lojtarët ishin përfshirë në një zënkë të fortë, në vitin 2016. Bëhet fjalë për atë përplasje në ndeshjen e “Europa League”, midis Manchester United dhe Fenerbahce.
Dy lojtarët, Ibra me “Djajtë e Kuq” dhe Kjaer me gjigantët turq, u kacafytën me njëri-tjetrin, pas një kontakti që nuk i pëlqeu suedezit. Irritimi i këtij të fundit ishte aq i madh, sa pas shkëmbimit të fjalëve e kapi për qafe Simone Kjaer. Incidenti ndodhi përpara dy stolave të skuadrave dhe shikimit të José Mourinho. Të dy lojtarët u qetësuan më vonë, por në fund të ndeshjes, mbrojtësi danez e sulmoi Zlatan për sjelljen e tij:
“Unë nuk jam i befasuar, sepse ky është Ibrahimovic që kam njohur gjithmonë. Ai është një futbollist arrogant, gjithmonë i gatshëm të tregojë gjoksin. Detyra jonë është të shkelmojmë topin, jo ta kapim kundërshtarin për fyti. Ne luajmë futboll dhe gjërat e tjera nuk i marrim aq shumë seriozisht, siç bën ai. Nuk është hera e parë që ndeshem me të dhe i njoh reagimet e tij arrogante. Për mua, kjo gjë nuk është aspak e re”.
Po tani, si do të sillen dy lojtarët, të bashkuar te Milani pas tri vitesh nga ajo kacafytje? A do të zhduket gjithçka apo do të ketë akoma “ndryshk” midis Ibrahimovic dhe Kjaer? Të presim e të shohim. Trajnerit Pioli sa vjen dhe i vështirësohet puna, menaxhimi i grupit kuqezi… Një mision që shkon përtej rezultateve teknike.