Demokrati Arben Ristani komentoi për mediat vendimin e Gjykatës së Tiranës për të pushuar çështjen për falsifikim dokumentesh ndaj zytarëve të PD.
Ristani, i cili po ashtu ishte i pandehur bashkë me Lulzim Bashën dhe Ilir Dervishin, deklaroi se akuza e ngritur ndaj tyre ishte politike. Ai ishte i vetmi i pandehur që ndoqi gjyqin nga afër.
“Gjykata vendosi të pushojë çështjen sepse fakti nuk ekziston, veprimet e kryera janë normale dhe të bazura në ligj. Për këtë arsye gjykata vendosi ta pushojë gjykimin e kësaj çështjeje.
Është shumë interesante për publikun për të treguar çfarë ndodh kur institucionet e drejtësisë bien pre e politikës. Prokuroria u paraqit me dy qëndrime, një qëndrim që kërkonte që çështja ta rikthehej dhe një që të pushohej. Gjatë gjyqit vjen edhe një urdhër i tretë që përjashton një gjyqtar.
Një organ i çorganizuar për shkak të interesave politike. Është një akuzë e ngritur politikisht. Kanë qenë veprime totalisht logjore nga ana e PD. PD ka paguar para që rrejedhin nga buxheti i saj. Njerëzit e drejtësisë do të vijojnë të japin drejtësi. Brenda prokurorisë ka njerëz të ndershëm”, tha Arben Ristani.
Ai sqaroi edhe pse Lulzim Basha nuk mori pjesë në seancë. “Isha vetëm unë në sallë sepse unë sepse doja ta provoja një herë edhe pozicionin si i pandehur”, deklaroi Arben Ristani për mediat.
Prokuroria nisi hetimet për Lulzim Bashën, Arben Ristanin dhe Ilir Dervishin pas investigimit të revistës amerikane “Mother Jones”.
Sipas revistës, Lulzim Basha kishte paguar shuma të majme, të sponsorizuara nga një kompani guackë e lidhur me rusët, për të lobuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2017.
Tre zyrtarët e PD ishin nën hetim si persona të dyshuar për pastrim parash e falsifikim formularësh në lidhje me financimet ruse në SHBA për zgjedhjet parlamentare të vitit 2017, ndërsa organi i akuzës kërkoi informacione edhe nga autoritetet amerikane për këtë çështje.