Gjykata e Tiranës ka ndryshuar masën e sigurisë për 6 të dyshuarit për 3.4 milionë euro të sekuestruara në makinën “Toyota Yaris”, rreth dy vite më parë.
Gjykata ka vendosur ‘Detyrim Paraqitje’ për kushërinjtë e shpallur në kërkim ndërkombëtar, Elvis dhe Alfred Vladin, për babë e bir Edi Lika dhe Klevi Cani, Alban Mollaymeri të akuzuar për pastrim parash në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe për Agim Çekajn i akuzuar vetëm për armëmbajte paleje.
Por, pak ditë para se Krimet e Rënda të shkriheshin me krijimin e SPAK, çështja kaloi te Gjykata e Tiranës, e cila rrëzoi akuzat për grup kriminal.
Për këtë arsye, sot Gjykata e Tiranës vendosi të zbusë masën e sigurisë për personat e dyshuar.
Në datë 24 Qershor 2018, në Portin e Durrësit , janë sekuestruar 3.4 milionë e 470 mijë euro cash, të fshehura në bagazhet e dy makinave “Toyota Yaris”, ndërsa po transportoheshin me trajler nga Belgjika.
Policia arrestoi 4 persona ndërsa u shpallën në kërkim dy të rinj nga Peshkopia, por me banim në Tiranë, të cilët dyshohet se ishin porositësit e ngarkesës së sekuestruar e cila ishte nisur nga Gjermania, përmes linjës së trageteve Ancona-Bari.
Policia arrestoi në flagrancë shtetasit:
Agim Çeka, 61 vjeç, lindur në Luz i Madh, banues në Durrës;
Edi Lika (Cani), 41 vjeç, lindur në Dibër, banues në Tiranë;
Klevi Lika, 21 vjeç, lindur në Bulqizë, banues në Tiranë;
Alban Mollaymeri, 40 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë.
Gjithashtu janë shpallur në kërkim dhe punohet për kapjen e shtetasve:
A.V. 33 vjeç, lindur në Peshkopi e banues në Tiranë;
E.V. 38 vjeç, lindur në Peshkopi e banues në Tiranë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në Pikën e Kalimit Kufitar Durrës në automjetin tip ‘Bizark’ të drejtuar nga shtetasi Agim Çeku dhe pronar Klevi Lika (Cani), në 2 automjete të ngarkuar në të, tip ‘Toyota’ janë gjetur një shumë e konsiderueshme eurosh dhe franga zviceriane, të padeklaruara. Gjithashtu janë ushtruar kontrolle në banesat dhe ambjente të tjera të personave të dyshuar.
U sekuestruan në cilësinë e provave materiale:
3,366,800 euro dhe 100 euro që dyshohet të jenë të falsifikuara;
80,000 franga zvicerane.
10 automjete, nga të cilat 7 automjete të tipit ‘Toyota Yaris’, 1 tip ‘Alfa Romeo’, 1 tip ‘Opel’ dhe 1 tip ‘Bizark’.
1 armë kallashnikov me 2 krehëra fishekë, gjetur nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit A.Çeka;
1 radio policie;
7 telefona celularë.
(M.Q/Faxweb.al)