Policët që shoqëruan Dritan Dajtin në zonën e ish-Bllokut në Tiranë për trajtim në një klinikë private janë kallëzuar nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve.
Lajmin e bëri të ditur vetë SHKBB përmes një njoftimi për mediat. Midis të tjerash në njoftim thuhet se efektivët nuk kanë zbatuar rregullat e shoqërimit dhe nuk e kanë vlerësuar siç duhet situatën.
Policët akuzohen për shpërdorim detyre, pasi sipas SHKBB, duhet të kishin bërë me parë një analizë risku. Gjithashtu, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve thekson se Dritan Dajti duhet të ishte dërguar në spitale shtetërore pranë burgut dhe jo në një klinikë private në ish-Bllok.
Sipas SHKBB, njoftimi për lëvizjen e Dritan Dajtit është bërë me mesazh në sallën operative, në një kohë kur duhej të vihej në dijeni vetë drejtori i Burgjeve.