Një plagosje e rëndë me thikë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në zonën e shinave të trenit në Tiranë.
Policia njofton se i plagosur në gjendje të rëndë ndodhet një 37 vjeçar, ndërsa është bërë i mundur dhe arrestimi i autorit, një 19-vjeçar.
Njoftimi i policisë:
E godet disa herë më thikë duke e plagosur rëndë një 37-vjeçar, falë reagimit në kohë të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 kapet dhe arrestohet autori.
Nga specialistët për hetimin e krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. H., 19 vjeç, banues në Tiranë.
Arrestimi i tij u bë pasi ky shtetas, tek shinat e trenit, rreth orës 20:05 të mbrëmjes së datës 20.01.2020, për motive të dobëta ka goditur disa herë me një mjet shpues e prerës shtetasin I. Z., 37 vjeç, banues në Tiranë, i cili ndodhet në gjendje të rëndë për jetën.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, pas marrjes së njoftimit për ngjarjen, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe pas rreth dy orë kërkimesh dhe kontrollesh në zonë, bënë të mundur gjetjen, kapjen dhe arrestimin e 19-vjeçarit.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën “Plagosja e rëndë me dashje”.