Kryebashkiaku i Bulqizës Lefter Alla është bërë tema kryesore e debateve politike por jo vetëm, pas daljes së një videoje në të cilën shikohet duke marrë kokainë, ndërsa mësohet se ndaj tij SPAK ka nisur hetimet.
Struktura e Posaçme Anti Korrupsion ka nisur procedim penal për Allën ndërsa pritet që ky i fundit të japë sqarime për pamjet që u publikuan.
Por çfarë parashikon ligji për rastet kur konstatohen veprime të tilla si ai i kryebashkiakut?
“Shitja, ofrimi për shitje, dhënia ose marrja në çdo formë, shpërndarja, tregtimi, transportimi, dërgimi, dorëzimi, si dhe mbajtja, përveç rastit të përdorimit vetjak dhe në doza të vogla, të substancave narkotike dhe psikotrope, si edhe i farërave të bimëve narkotike, në kundërshtim me ligjin ose në kapërcim të përmbajtjes së tyre, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet”, shkruhet në nenin 283 t Kodit Penal “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga shtatë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.
Organizimi, drejtimi apo financimi i kësaj veprimtarie, dënohen me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.
Ened Nakuçi është prokurori i çështjes ndërsa pritet mbledhja e provave dhe dëshmive për të arritur në një version zyrtar të rastit në fjalë.
Deri më tani, Alla e ka mohuar akuzat duke e konsideruar videon si të montuar ndërsa nga hetimet pritet të zbulohet se cila nga pikat e ligjit mbi drogërat ka abuzuar kryebashkiaku.
Nuk dihet nëse do të kërkohet shkarkimi apo pezullimi nga detyra e tij në rastin kur akuza të tilla provohen nga SPAK si dhe nëse është kompetencë e këtij organi marrja e një vendimi të tillë.
(F.GJ/FAXWEB.AL)