Punonjës të rafinerisë së Ballshit, repartit të zjarrfikëses dhe të nënstacionit elektrik të Ballshit kanë dalë në protestë sot pasi kanë përmbi 2 vite pa paguar, ndërsa ligjërisht dhe nuk ju lejohet të braktisin vendin e punës.
Ndërkohë shefja e sigurimit teknik të Uzinës së Ballshit, Brunilda Jahaj ka ngritur alarmin duke theksuar se nga momenti në moment mund të shpërthejë një sferë gazi, pasi ka rrjedhje. Nëse ndodh shpërthimi i saj, banorët u shprehën se mund të krijojë një Gërdec të dytë.
“Siç e thanë gjëndja është e mjerueshme, për momentin këto janë në punë. Kush do të përgjigjet nëse larg qoftë ndodh diçka në këtë rafineri. Zjarrfikësit dënohen ligjërisht nëse lënë vendin e punës. Mallakastra e Ballshi janë shkatërruar. Kjo është një fatkeqsi njerzorë.
Jo më shumë se dje kemi një rrjedhje tek një sferë e gazit dhe jemi të detyruar të rrimë aty dhe ta ruajmë sepse momenti në moment mund të shpërthejë.
Nëse shpërthen bëhët një Gërdec i dytë. Është tmerr, nuk di nga ta kapësh fillin. Ne nuk kemi mjete për të luftuar zjarrin. Nëse ajo sferë do të vijojë të rrjedhë ka mundësi që edhe lagjia të mbytet.”- u shpreh shefja.