Partia Demokratike ka reaguar ashpër për miratimin e aktit normativ të “anti-KÇK-së” nga qeveria.
Sipas PD, akti normativ i qeverisë është antikushtetues, nuk forcon luftën ndaj krimit të organizuar, por ul standardin e goditjes dhe dublon kompetencat e SPAK-ut dhe BKH-së.
Më tej PD thekson se duke i dhënë policisë kompetencat që ia rrëzoi Gjykata Kushtetuese 4 vjet më parë, ligji i ri i Edi Ramës krijon bazën për krjimin e modelit të shtetit policor, ku do të goditet banda që nuk bashkëpunon për t’i ruajtur dhe për t’i siguruar pushtetin në mënyrë të paligjshme.
Deklarata e plotë
Akti normativ i qeverisë për krimin e organizuar është antikushtetues, nuk forcon luftën ndaj tij, ul standardin e goditjes ndaj krimit të organizuar dhe dublon kompetencat e SPAK-ut dhe BKH-së.
Nëse do të zbatohej, ligji antimafia në fuqi ka mekanizma më të fortë dhe më efikasë për luftën ndaj krimit të organizuar, përmes goditjes së pasurisë së tij, por akti normativ synon të zëvendësojë SPAK-un me Ardi Veliun.
Duke i dhënë policisë kompetencat që ia rrëzoi Gjykata Kushtetuese 4 vjet më parë, ligji i ri i Edi Ramës krijon bazën për krjimin e modelit të shtetit policor, ku do të goditet banda që nuk bashkëpunon për t’i ruajtur dhe për t’i siguruar pushtetin në mënyrë të paligjshme.
Nuk ka asnjë shans që Edi Rama të luftojë krimin e organizuar, pasi ai është produkti politik i parave të pista të krimit të organizuar. Gjatë gjithë karrierës se tij politike, Edi Rama ka siguruar vota dhe para prej krimit të organizuar, duke u dhënë trafikantëve të drogës leje ndërtimi, koncesione, tendera dhe pasuri publike.