Gjatë një interviste në studion e lajmeve të Fax News, diplomati Spartak Topollaj ka komentuar formimin e qeverisë së Kosovës, ku tha se në gjykimin e këtij aktin duhet ta shikojmë pozitivisht, ndërsa marrëveshjen e konsideroi historike.
“Mendoj se marrëveshja anon nga pozitivja, ka vend për ndonjë karkulim, por e rëndësishme është se Kosova tashmë ka qeverinë e saj, që e prisnin qytetarët kosovarë, e prisnim edhe ne, e prisnin edhe ndërkombëtarët që kanë rolin dhe kontributin e tyre në ardhjen e kësaj dite që është përvjetori i 12 i Pavarësisë dhe përvjetori i 22 i hyrjes së NATO-s në Kosovë. Besoj se koalicioni dhe qeverisja e Kurtit do t’ia dali me sukses”, nisi biseda me Topollajn.
Ai ka radhitur edhe pritshmëritë që ka për qeverinë e re, kohëzgjatjen e mundshme të koalicionit, marrëdhëniet me presidentin dhe sfidën më të madhe që Kurti dhe Mustafa kanë përpara.
Pjesë nga intervista me gazetaren Xhilda Konda:
VV lëshoi kryeparlamentarin, pse ndryshoi strategji duke e shkarkuar, mos ishte ngutje ajo që bëri në fillim?
Topollaj: Nuk ka asgjë të çuditshme, në politikë kjo ndodh. Për mua kishte karakter gjysmë provokativ, ishte një lloj ‘shantazhi’ që iu bë LDK-së që nëse nuk doni do gjejmë zgjidhjen tonë. U pa që kjo nuk shkonte, u bë një gjysmë deklarate që Konjufca nuk do të dorëhiej, por ndryshoi loja dhe për të mos lejuar presidentin të mandatonte një kandidat tjetër për kryeministër, u vendos që Konjufca të tërhiqej. Mu duk pak e çuditshme, Osmani është veçuar si politikane e re por e pjekur, qytetare në kuptimin politik të fjalës, mendoj se e meriton postin e kryeparlamentares, dhe për arsye të tjera hatërmbetjet tipike shqiptaro-shqiptare ajo duhet ti lërë mënjanë sepse në politikë ka konsoensus, negociata. Ka tërheqje por ka edhe rishikim.
Sa besim keni se kjo bashkëqeverisje do të jetë afatgjatë?
Topollaj: Të gjitha gjasat janë që të jetë afatgjatë. Koalicioni i mëparshëm u pa që kishte defekte, futi uji gjatë rrugës, natyrisht meriton respekte kryeministri Haradianaj i cili jo vetëm si luftëtar dhe një nga legjendat e luftës së Kosovës, mbase familja e tij e dyta pas Jasharajve, ka kontribut të madh. Dhe vetë Haradinaj u sprovua edhe si politikan, edhe si qytetar. Mendoj se Kosova ka nevojë për një mandat të stabilizuar dhe të plotë dhe besoj se do të shkojë deri në fund, Kosova e nisi me më pak se një milliard euro buxhetin vjetor ndërsa tani e ka mbi 3 miliardë për ç’ka mendoj se do të ketë mundësi për investime.
A mund ta rrezikojë qeverisjen çështja ende e pazgjidhur e presidentit?
Topollaj: Do të ketë pengesë në rrugën e saj dhe kështu mendoj se siç u bë kërcimi pa atë stekën e madhe të këtij sporti, në politikë kapërcehen pengesat me mencuri dhe dinjitet. Gjëra të vogla rrugës do të ketë dhe kjo është vërtetuar edhe në koalicione të mëdha, kemi parë në Gjermani që qeverisin koalicione të mëdha. Edhe në Ballkan kemi shembuj sa të duash, me ndonjë vështirësi të vogël do të kapërcehet mendoj edhe çështja e Presidentit.
Presidenti nuk ishte i ftuar në seancë, a është normale sipas gjykimit tuaj?
Topollaj: Nuk dua të bëj kompetentin pasi nuk e njoh këtë klauzolë të Kushtetutës së Kosovës. Mendoj nga ana tjetër se Presidenti i Republikës nuk ka nevojë për ftesë, nuk është çështje private, unë mendoj që mund të jetë ky variant por mund të jetë edhe një lloj hatërmbetje edhe e Thaçit për shkak të stërzgjatjes së marrëveshjes ose përmendja e emrit të tij pa i mbaruar mandati.
(F.GJ/FAXWEB.AL)