Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka publikuar një deklaratë për mediat pas rrëzimit nga Gjykata të urdhrit të Ministrisë së Financave për të anuluar lejen e shfrytëzimit nga kompania ADFD të shërbimit “duty free” në Rinas.
Amabasada Amerikane ka reaguar ashpër në lidhje me sfidat që përballen investitorët e huaj në Shqipëri.
“Në situatën ku ndodhemi sot, rrethanat në lidhje me hapësirën Pa Taksë (Duty Free) në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës tregojnë sfidat me të cilat përballen investuesit e huaj në Shqipëri. Është zhgënjyese që klima aktuale e biznesit pengon rritjen e investimeve të huaja. Shqipëria duhet të zbatojë rregulla të drejta dhe transparente në mënyrë të barabartë për të gjitha bizneset. Shpresojmë që qeveria e Shqipërisë të shqyrtojë seriozisht sfidat në mjedisin aktual dhe të zbatojë ndryshime të prekshme, për të tërhequr investimet e huaja shumë të nevojshme.”- shkruan ambasada.
Ditën e sotme Gjykata Administrative vendosi të pranojë padinë e shoqërisë ADFD për zonën e dyqaneve “duty free” në Rinas. Me vendimin e sotëm Gjykata rrëzoi urdhrin e Ministrisë së Financave që i anuloi lejen e shfrytëzimit për 5 vjet të tjera të Duty Free në Rinas nga ADFD.
Që prej korrikut të vitit të kaluar, kur nënshkroi dhe kontratën me Tirana International Airport (TIA) shoqërinë që administron aeroportin e Tiranës, kompania amerikane nuk ka mundur të marrë në zotërim zonën e dyqaneve “duty free”. Përmes një sërë padish në gjykata, Albania Duty Free Distribution (ADFD), kompania e cila ka administruar zonën “duty free” që prej viteve 2000, nuk u largua.