Ambasadori i Kosovës Nait Hasani, ka dhënë ditën e sotme një intervistë për Fax News, ku ka folur mbi 12 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, dhe sfidat që ka sot kombi ynë.
Hasani u shpreh se Pavarësia e Kosovës është data e dytë më e rëndësishme për shqiptarët, ndërsa shtoi se duhet të ketë më shumë përpjekje mes vendeve tona, për të pasur bashkim mes vetes.
“Padrejtësisht në 1992 jemi ndarë, duhet të falenderojmë nënat, dhe prindërit tanë që vendosën dhe qendruan për të mos ikur nga Kosova.
Ishte një betejë e fituar me ndihmën e NATO-s dhe BE-së, Kosova u çlirua në Qershor të 1999. Por nuk ka përfunduar këtu procesi, pasi u deshën dhe 10 vite të tjera për Pavarësinë.
Unë kur kam parë deklaratën e pavarësisë në vitin 2008, në mendje më kanë ardhu lufta e të gjithë njerëzve të mi, më ka ardhu në mendje pjesa që kam kaluar në burgjet e Serbisë, por kjo nuk ishte asgjë në krahasim me një popull që ishte vrarë dhe ishte shkatërruar. Pavarësia ishte akti më kulminant i jetës sime, aty mendova që kishin marrë fund vuajtjet e popullit tim.
Janë nënshkruar shumë marrëveshje mes Shqipërisë dhe Kosovës, që kanë afruar jetën mes dy vendeve, por ka pasur dhe akte propagande, të institucioneve këtu dhe atje. Populli ynë ka nevojë më shumë se kurrë për bashkim mes vetes, ne kemi mundësi që të bëjmë këtë.
Janë pjekur kushtet ekonomike, politike dhe kulturore, që ne të zgjidhim të gjitha problemet që mund të kemi pasur mes vetes”, u shpreh Hasani për gazetaren e Fax News Edona Haklaj.
Ambasadori foli dhe për idenë e Shqipërisë së Madhe, duke thënë se kjo është një tezë e hedhur nga propaganda e politikës serbe, me qëllimin e vetëm që të duket sikur shqiptarët kërkojnë ndryshim të kufijve. Hasani u shpreh se sot duhet të flitet për Shqipërinë natyrale, e cila shtrihet edhe përtej të dy shteteve tona.
“Nuk ka pasur asnjëherë Shqipëri të Madhe, këto janë propaganda të politikës serbe, këto janë Shqipëri, që janë ndarë nga Konferenca e Londrës. Ne kemi Shqipëri, kemi shtetin e Kosovës që ka shumicë shqiptare, kemi shtetin e Serbisë që ka shqiptarë, kemi shtetin e Maqedonisë që ka Shqiptarë, kemi Malin e Zi që ka shqiptarë. Kjo është Shqipëria natyrale, dhe nuk ka asnjë pretendim për Shqipërinë e Madhe, ne kurrë nuk kemi kërkuar që të ndërhyjmë në kufijtë e askujt.
Ka më shumë se 80 mijë shqiptarë që gjenden në Beograd dhe nuk flasin. Asimilimi është përdorur si një mjet shtetëror, që shqiptarët të mos njohin e të pranojnë origjinën e tyre. Ne nuk kërkojmë që të rifitojmë territore, ne kërkojmë thjesht të njihemi aty ku jetojmë”, deklaroi ambasadori Hasani.
Lidhur me marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, ambasadori tha se ato do të jenë të tensionuara, sa kohë që Serbia nuk ka kërkuar falje për krimet e luftës që janë bërë ndaj popullsisë shqiptare. Si një nga themeluesit e UÇK-së, si dhe nënshkrues i deklaratës së Pavarësisë, Hasani foli dhe për vuajtjet e tij personale, dhe të të gjithë shqiptarëve në burgjet e Serbisë.
“Serbia nuk e ka pranuar fajin dhe gjenocidin që ka kryer për 100 vite në drejtim të shqiptarëve të Kosovës, dhe prandaj ne nuk mund të jemi partnerë në bisedime me njëri tjetrin.
Për mua akti më i madh i gëzimit dhe fitores ka qenë momenti kur kemi nënshkruar aktin për krijimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë po ashtu takimet që kemi pasur me Adem Jasharin, me Luan Haradinajn, me ish-kryeministrin Haradinaj, me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, të gjithë kanë qenë pjesë e një qëllimi të përbashkët për çlirimin e Kosovës.
Aktet tona personale, janë vitet që kemi kaluar në burgjet serbe, nga viti 1997 deri në vitin 2002, janë vrarë kolegët tanë me ekzekutim, janë vrarë mbi 100 vetë në burgje, në masakrën e burgut të Bravës.
Nuk ka vend në Kosovë që mund ta prekësh dhe nuk ka varre dhe gjak të njerëzve që kanë luftuar për liri, 17 Shkurti është një fitore, më e madhja e kombit shqiptar pas 100 vitesh nga 28 Nëntori i 1912-tës.
Kjo festë nuk duhet të na dehë, është një akt që duhet të na shtyjë më shumë drejt përparimit, një demokracie të forcuar, dhe ndërtimin e marrëdhënieve reciproke me shtete të tjera”, u shpreh Hasani, i cili foli dhe për drejtësinë e munguar që është treguar për krimet e luftës.
“Drejtësia është treguar shumë selektive në raport me shqiptarët, prej 1999 janë arrestuar grupe e grupe për krime lufte, në radhët e shqiptarëve. Nuk ka ushtarë të UÇK-së që të ketë vrarë një fëmijë, gra, e të moshuar, përkundrazi , shqiptarët kanë mbetur viktima të një lufte të egër.
Serbia duhet të kërkojë falje në raport me ne, ndaj shqiptarëve në tërësi, ne nuk kemi bërë krime lufte. Duhet të ketë një presion nga ndërkombëtarët, në mënyrë që Serbia të kërkojë falje dhe ta lërë pas të shkuarën. Kosova është sot e pavarur, dhe fuqitë më të mëdha e kanë njohur.
Ne nuk kemi një platformë kombëtare, që synon mbrojtjen e kombit, jo të shteteve. Shteti i Kosovës dhe i Shqipërisë nuk kanë guxuar derimë tani në ngritjen e kësaj platforme”, tha mes të tjerave Hasani.