Fax News ka siguruar foton e Bilbil Hasanit, i cili u vetëvar mëngjesin e djeshëm në burgun 313 në Tiranë, ku ndodhej në kushtet e paraburgimit, për vjedhjen e 1200 lekëve.
Babai i katër fëmijëve, duket se nuk e përballoi dot këtë kohë të vështirë në burg, dhe vendosi që ti jepte fund jetës në kushtet e depresionit.
Ajo që është një këmbanë alarmi, është fakti se pas dyerve të burgut qendrojnë njerëz që akuzohen për vjedhjen e shumave qesharake, aq sa do të bënte një kafe na lagjet e pasura të Tiranës, ndërkohë që nuk iu ka hyrë gjemb në këmbë personave që dyshohen për afera miliona eurosh.
Në pritje të drejtësisë së re, Hasani u bë kështu viktima e parë e harresës në burgje, dhe i një vendimi gjykate që do çudiste këdo në vendet e zhvilluara.
Për ngjarjen e rëndë, reagoi dje vetëm Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani, i cili pasi tha se “u njoh nga mediat me lajmin e vetëvarjes së 43 vjecarit, e po ashtu edhe me pretendimin se i ndjeri po qëndronte me masë sigurie në burg, për shkak se kishte vjedhur 12 mijë lekë të vjetra”.
“Inspektori i Lartë i Drejtësisë po vlerëson rastin për fillimin e verifikimit nëse ka patur vonesa në veprimet procedurale hetimore apo gjyqësore, si dhe nëse ka zbatim të gabuar të ligjit material apo procedural”, thotë kryeinspektori Artur Metani në një reagim për ngjarjen.