Me kalimin e ditëve, situata e grevistëve të Ballshit dhe të Poçemit po rëndohet ndjeshëm, ndërsa disa prej tyre i janë drejtuar spitalit për të marrë ndihmën e nevojshme.
Grevistët e nënstacionit të Poçemit, janë në ditën e tyre të dhjetë të grevës, të cilët kanë 27 paga të prapambetura, për të cilat thonë se tashmë do të vetëflijohen në rast se nuk i marrin.
Njëri prej grevistëve Petrit Mukaj, është trasnportuar me urgjencë drejt spitalit të Fierit, pasi gjendja e tij ka qenë e rënduar, edhe pse kishte marrë një serum në orët e mëngjesit.
Derimë tani atyre nuk iu është dhënë asnjë zgjidhje nga kompania, dhe gjithë çfarë iu është premtuar gojarisht, e quajnë boshe.
“Do vete prapë, sa të vdes, ku ti çoj dy fëmijët që i kam në shkollë të lartë. E lanë shkollën tani po rrinë në shtëpi”, shprehet grevisti, ndërsa mjeku thotë se gjendja e tij duhet të jetë nën kontroll.
Nga ana tjetër edhe grevistët e Ballshit janë sot në ditën e 6 të grevës, ndërsa dy prej tyre janë dërguar sot drejt spitalit. Në ambientet e jashtme ku mbahet greva, qendrojnë sot dhjetra familjarë, të cilët gjatë ditës së nesërme pritet që të mbajnë një tubim në qytetin e Ballshit.
Kompania ka premtuar se dhënia e 5 pagave të prapambetura do të bëhet sa më shpejt, por naftëtarët shprehen se ata kërkojnë që të ketë siguri që puna do të vijojë, dhe se furnizimi me lëndë të parë do të jetë i vazhdueshëm.
“Shpresa e vetme e zgjidhjes së problemit tonë mbetet vetëm kryeministri, i cili duhet të reagojë një sahat e më parë. Ne kërkojmë një zgjidhje afatgjatë në tavolinë, greva do të vazhdojë, por zgjidhja e vetme e këtij problemi është Edi Rama”, shprehet një prej naftëtarëve, që nuk është pjesë e grevës.
(E.K/Faxweb.al)