Mbrëmjen e sotme emisioni investigatim “Ajsberg” me moderatorin Artur Çani që transmetohet në Fax News i është dedikuar trupës gjykuese të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (në vijim KPA).
KPA është e përbërë nga 7 anëtarë, por gazetari ngre pyetjen se për të qenë një gjyqtar i këtij institucioni të rëndësishëm, çfarë kriteresh duhen plotësuar?
Aktualisht Kolegji i Posaçëm i Apelimit, pjesë e Gjykatës Kushtetuese përbëhet nga kryetarja Natasha Mulaj dhe gjyqtarët anëtarë, ish- kryeprokurorja Ina Rama, Albana Shtylla, Ardian Hajdari, Luan Daci, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo.
Çani ka grumbulluar disa materiale me të cilat provon se nga 7 anëtarë që ka kjo Gjykatë, disa prej tyre janë emëruar në shkelje me ligjin dhe për këtë citoi një nen të tij dhe për tre prej tyre ka deklaruar se janë emëruar në shkelje flagrante.
“Në kreun e dytë, neni 5 dhe 6 flasin për kriteret e kandidatëve dhe të kriterevë të përzgjedhjes së anëtarëve të KPA që mund të jetë ‘Shtetasi shqiptar që ka përfunduar ciklin e dytë të studimeve universitare, të ketë jo më pak se 15 vjet gjyqtar, prokuror, avokat, profesor i së drejtës, nënpunës i shërbimit civil të nivelit drejtues, ose sfera të tjera të së drejtës. Të ketë marrë një vlerësim të lartë për vlerat profesionale. Nuk ka ushtruar funskione politike në administratën publike, ndaj tij të mos ketë nisur hetim penal. Të mos jetë marrë masë disiplinore për largim nga puna… Përmbushja e kritereve të mësipërme vlerësohet duke marrë në konsideratë në veçanti të dhënat si më poshtë: Të ketë tituj shkencor në fushën e të drejtës, vjetërsi në profesion, përvojë studimore me notë mesatare jo më pak se 8-të nëse ka përfunduar master shkancash në Shqipëri”.
Sipas Çanit, tre nga gjyqtarët e mësipërm nuk i plotësojnë kushtet, ndërsa të parin ka përmendur Ardian Hajdarin. Teksa tregon me hapa konkret karrierën e Hajdarit ndër vite, gazetari thekson kohën kur ka punuar avokat, nga viti 2002-2004.
“Unë kam siguruar një listë notash të zotërisë, Ardian Shaqir Hajdari i cili ka pasur në Fakultetin e Drejtësisë në degën Juridike. Janë të gjitha notat e 4 viteve radhazi. I kam mbledhur të gjitha notat, kam bërë edhe mesataren që më ka dalë 6.45. Nuk e plotëson kriterin sepse po ti referohemi nenit që cituam më lart, thotë: ‘notë mesatare jo më pak se 8-të’. Siç e thamë ky zotëri ka qenë avokat në 2002-2004 në Shkodër. Unë kam siguruar një dokument që SHIK ia dërgon ish-presidentit Alfred Moisiu. Në këtë fragment thuhet, se Adri Ymeri, gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor përfshihet në korrupsion pasiv me avokatin Ardian Hajdari, që bashkë më babain luajnë rolin e sekserit për ata që duan të rrisin moshën e përfitimit dhe marrin nga 1000 euro deri në 2000 mijë euro”, tha drejtuesi i “Ajsberg” nw Fax News.
E dyta që është investiguar është kryetarja e KPA, Natasha Mulaj që nga hetimet u provua se nuk plotësonte një nga kriteret bazë, vitet e punës.
“E dyta gjyqtare që kam parë është Natasha Mulaj, kryetarja e KPA, e cila ka një CV kopjen e të cilës e kam. Edhe kjo nuk plotëson një kusht. Referuar ligjit për kushtet që duhet të plotësojë kandidati për anëtar i KPA duhet të ketë jo më pak se 15 vjet gjyqtar, prokuror etj etj. Po të nisemi nga libreza e punës e zonjës Natasha, do të shikoni që ka punuar si sekretare, ndihmës gjyqtare dhe në vitin 2000 ka filluar si gjyqtare, por ka pasur edhe shkëputje dhe në total i dalin vetëm rreth 7 vite punë. Në vitin 2014 apo 2015 kanë qenë disa vende bosh për gjyqtar, dhe Natasha Mulaj kur është marrë në shqyrtim nga ILD ajo nuk kishte të dhëna se ku punonte. Ka punuar 2 vjet e 4 muaj si gjyqtare në Tropojë dhe 7 vjet si ndihmës gjyqtare, në këto kushte nuk plotëson kriterin e kandidates për gjyqtare në KPA, por një person që nuk plotëson kriterin për të qenë gjyqtare, a mund të plotësojë kriteret për të qenë kryetare?”, tha Çani.
Luan Daci është personazhi tjetër, anëtar i KPA-së për të cilin Çani solli në vëmendje një pyetje të bërë në Komisionin e Ligjeve nga deputetja Vasilika Hysi.
Sipas Çanit, Daci është përgjigjur se nuk është shkarkuar por që është dorëhequr, ndërsa e vërteta sipas tij qëndron krejt ndryshe, dhe për këtë sjell disa argumenta dhe fakte.
“Vasilika Hysi e pyeti, ‘Jeni larguar apo ju kanë hequr nga puna’? Zoti Daci kësaj pyetje i përgjigjet: ‘Unë kam ikur me dorëheqje sepse nuk na lejuan të regjistroheshim’.
Unë them se Luan Daci ka thënë një të pavërtetë para Komisionit. Nuk është dorëheqje kur ka një vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë për largimin nga detyra të Luan Daçit për shkelje të ligjit.
Daci ka shkelur ligjin ku parashikohet marrja e masave disiplinore. “KLD në një mbledhje të mbajtur më 18.11.2016, në pikën e dytë të rendit të ditës ka qenë shqyrtimi i emrave të kandidatëve për vendet vakant për anëtar të Gjykatës së Tiranës. Në procesverbal është emri i Luan Dacit që ka një vendim për shkarkim nga detyra. Nuk ka dhënë dorëheqjen, është shkarkuar. Ky vendim është në fuqi akoma sepse KLD në bazë të këtij vendimi e ka skualifikuar.
(F.GJ/FAXWEB.AL)