Një ngjarje e rëndë ka tronditur paraditen e sotme Durrësin, ku një grua me inicialet H.T, 59-vjeç, është vrarë me levë nga bashkëshorti i saj pranë Pallatit të Sportit.
Burime bëjnë me dije se viktima ka qenë duke punuar në një dyqan metrazhesh, ndërsa burri i saj ka shkuar brenda në dyqan, dhe pasi janë konfliktuar e ka qëlluar me levë për vdekje.
Policia raporton se ka arrestuar në flagrancë autorin me inicialet, R.T, 63-vjeç.
Mësohet se viktima dhe autori kanë qenë pronarë të dyqanit ku ka ndodhur vrasja, ndërkohë që motivet ende nuk dihen.
Ngjarja ka ndodhur në një nga zonat më të populluara të Durrësit, dhe ka tërhequr vëmendjen e kalimtarëve, mirëpo asnjëri prej tyre nuk ka mundur që të evitojë ngjarjen e rëndë.
Njoftimi i policisë:
Më datë 26.02.2020, rreth orës 11:35, në lagjen Nr. 12, Durrës, shtetasi R. T., 63 vjeç, banues në lagjen Nr. 7, Durrës, në dyqanin që tregton metrazhe, dyshohet se ka vrarë me levë hekuri, bashkëshorten e tij, shtetasen H. T., 59 vjeçe, e cila ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.
Shërbimet e Policisë kanë arrestuar në flagrancë autorin e dyshuar të ngjarjes.
Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, ku vijon punën për sqarimin dhe dokumentimin e ngjarjes.
Ky është krimi i dytë i rëndë në më pak se 24 orë që godet vendin, pas vrasjes së dyfishtë që ndodhi mbrëmjen e djeshme në Mirditë, ku ish-bashkëshorti vrau një 36-vjeçare dhe të vëllanë e saj, duke lënë jetime tre vajza të mitura.
(E.K/Faxweb.al)