Ka nisur mbledhja e KLGJ-së, ku në pikën e parë të rendit të ditës do të zhvillohen tre intervistat me kandidatët për garën për anëtarë të Gjykatës së Lartë.
I pari që vjen para KLGJ është kandidati Sokol Sadushi, i cili ka dhënë arsyet se pse ai duhet të jetë pjesë e Gjykatës së Lartë.
Sadushi ka mbajtur më herët dhe postin e kreut të shkollës së magjistraturës.
Sadushi: Kam një përvojë mbi 33 vjeçare si jurist, avokat, prokuror e më gjerë dhe jam sot këtu për një motiv të fortë, për të qenë pjesë e garës që Gjykata e Lartë pati riformatim. Eksperienca ime është vlerë që ia njoh vetes dhe qenia për 13 vjet i Kushteueses më motivon më shumë.
Gjykata e Lartë ka nevojë për legjitimitetin që i duhet, siç kushtetuta e ka përcaktuar. Kam objektivat e mia në lidhje me këtë gjykatë. Aktualisht kjo gjykatë nuk ka strategji dhe kjo pikërisht i duhet. Situatë problematike janë numri i stërmadh i dosjeve në këtë gjykatë, por mund të përballohet me një riformatim.
Çështja e pronave dhe disa të tjera mund të bëhen unifikuese, për të shpëtuar nga ato. Në përvojën time ekzistojnë rregullore të tilla për të lehtësuar punën. Me rëndësi është roli i gjykatës me median, nuk ka qenë në rregull, por duhet të përmirësohet që publiku të informohet me transparencë.
E kërkoj këtë detyrë se dua të përballem, jam i motivuar dhe bashkë me kolegë të kthejmë Gjykatën e Lartë ashtu siç e do sistemi i drejtësisë.
Përvoja 30 vjeçare si ekspert i të drejtës administrative është element që me atë mundësi që kam, do jap kontribut të mirë. Po ashtu edhe përvoja në Gjykatën Kushtetuese është e vlefshme për të marrë këtë detyrë.
Marrëdhënia me median është një problem që ka shqetësuar të gjithë sistemin e drejtësisë, ndërsa unë pretendoj aksesueshmëri dhe kam bindjen për besueshmëri të Supremes.
Pa unifikimin e praktikës gjyqësore nuk mund të kemi evadim të çështjeve, pasi duhen vendime unifikuese nëse duam të gjykojmë në kohë çështjet. Sa më shpejt, aq më shpejt do marrë zgjidhje dhe qytetari që pret prej vitesh një vendim.