Fax News ka siguruar detaje te reja nga dosja që çoi në pranga gazetarin dhe analistin Henri Çili.
Gjatë përgjimeve të Prokurorisë së Përmetit është konstatuar një telefonatë mes Enri Ajdinajt, i cili rezulton të jetë vëllai i bashkëjetueses së Henri Çilit, Pranvera Ajdinaj, dhe Adil Alikos, babai i Arbjon dhe Albano Alikos, të dënuar me burgim të përjetshëm dhe 18 vite burg për vrasjen e efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha gjatë operacionit kundër kultivimit të drogës në Lazarat.
Në dosjen hetimore rezulton se gjatë telefonatava të përgjuara, babai i vëllezërve Aliko i ka kërkuar ndihmë Enri Ajdinaj (kunati i Henri Çilit) për lirimin e djemve duke theksuar se i kërkonin një shumë prej 1 milion euro. Enri Ajdinaj merr përsipër që të ndërmjetësojë një takim të Adil Alikos me Henri Çilin. Në dosjen thuhet se takimi mes Çilit e Alikos është kryer në 7 dhjetor 2019 në Tiranë. Biseda është përgjuar dhe filmuar nga prokurorët.
Gjatë kësaj bisede, mësohet se shuma e cila do të përdorej për lirimin e vëllezërve Aliko do të zbriste nga 1 milion euro në 750 mijë euro, ku një pjesë do të jepej CASH dhe pjesa tjetër me prona. Ne 10 janar 2020, Henri Çili i ka dhënë një prokurorë për të vepruar në emrin e tij, bashkëpunëtorit Betim Shkupi për marrjen e dy pronave në formë dhurimi nga shoqëria “Fishta sh.p.k” në Velipojë. Pas marrjes së pronave Henri Cili komunikon me Enri Ajdinajn dhe i thotë se gjithçka ka shkuar për mrekulli dhe se meritonte një shpërblim.
Prokuroria ka konstatuar se më datë 3 shkurt 2020, Henri Çili ka komunikuar me Drejtoreshën e Kadastrës së Shkodrës duke i kërkuar që të veprojë me shpejtësi për regjistrimin e pronave ne emër të tij.
Pas marrjes së pronave dhe parave, Henri Çili ka zhvilluar një takim me një drejtues të lartë të Sistemit të Drejtësisë në një hotel në Tiranë ku i ka kërkuar që dosja e djemve Aliko të jenë tek dosjet e para që do të shqyrtohen nga Gjykata e lartë. Ky takim është përgjuar nga prokuroria e cila ka vepruar shpejt duke konkluduar me arrestimin e Henri Çilit dhe 12 personave të tjerë.
(M.Q/Faxweb.al)