Napoli ka arritur një fitore të rëndësishme ndaj Torinos me rezultatin 2-1. Ekipi napolitan arriti të merrte 3 pikë të arta me Elseid Hysajn si titullar në fushën e lojës për 90 minuta. Kjo fitore e fut ekipin e Gennaro Gattusos në garë për Europë, pasi e sheh veten në vendin e gjashtë, por me një ndeshje më shumë.
Napoli shënoi nga një gol për çdo pjesë loje. Ishte Manolas në fillim që gjeti rrjetën në minutën e 19′.
Ai dërgoi topin në rrjetë me kokë pas një pasimi të Insignes. Pjesa e parë u mbyll 1-0 për ekipin vendas.
Goli i dytë u shënua nga Di Lorenzo në minutën e 82′. Ai mori një pasim brilant nga Mertens dhe nuk e kishte të vështirë të dërgonte topin në rrjetë.
“Demat” ngushtuan diferencën me Ederan në të 90’+1′, por goli i tij mbetet vetëm për statistikë. Napoli ndodhet në vendin e gjashtë me 39 pikë, ndërsa Torino në të 15 me 27 pikë.